Bekteshi: Secili ka të drejtë të padisë, ne nuk tërhiqemi dhe nuk do të lejojmë dikush të bëjë para në kurrizin e qytetarëve

Të gjitha vendimet që marrim janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë. Ligji për tregtinë është vendimtar dhe në nenin 29 dhe në nenin 30 thuhet se çfarë masash mund të marrë Qeveria me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë. Secili ka të drejtë të padisë, ky është një vend demokratik. Nuk do të ketë lëshime. Nuk bëjmë asnjë presion, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ndaj paralajmërimit të industrisë së bukës se vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë dhe obligimi i furrtarëve që të prodhojnë dhe shpërndajnë bukë nga 33 denarë është e kundërligjshme, njofton Portalb.

“Me sa kemi informacione, kryesia e këtyre shoqatave nuk e kanë mbështetjen e anëtarëve të tyre, kanë paralajmëruar se do të bëjnë thirrje për bojkot. Kemi marrë letra nga biznesmenë të ndershëm që prodhojnë bukë në kuadër të shoqatës së tyre, duke u bërë presion se do të jenë dele e zezë nëse prodhojnë bukë prej 29 dhe 30 denarë dhe këtë e bëjnë për interesa personale. Ata që propozuan këtë bojkot kanë interes personal dhe një pjesë të madhe të tregut”, tha ministri Bekteshi në edicionin e lajmeve në Televizionin Sitel.

Sipas ministrit, disa prej kompanive tashmë janë gjobitur nga Inspektorati Shtetëror i Tregut për mosrespektimin e vendimit për shitjen e bukës me çmim prej 33 denarë për bukën e bardhë dhe gjysmë të bardhë.

“Inspektimet në terren do të vazhdojnë. Bëhet fjalë për 4-5 kompani. Të tillë biznesmenë të pandershëm as nuk duhet të punojnë në shtet dhe nuk duhet të merren me këtë biznes. Të gjitha këto kompani, sipas të dhënave nga raportet financiare për vitin 2022, kanë rritje të fitimeve, duam që të gjitha të punojnë me sukses, por që kjo të mos jetë në kurrizin e qytetarëve”, tha ai.

Ministri i bëri thirrje opozitës që të kalojë sa më shpejt Ligjin për Solidaritetin, ku përfshihen të gjitha ato kompani që kanë realizuar fitime të mëdha në shtet dhe të paguajnë taksa shtesë që janë deri në 30 për qind të fitimit.

“I bëj thirrje opozitës që të mos e bllokojë këtë ligj”, tha ministri Bekteshi.

Ministri sqaroi se kërkesa kryesore e kompanive nga industria ushqimore ishte që të subvencionohej energjia elektrike që do të ndikonte në uljen e çmimeve dhe Qeveria e plotësoi menjëherë.

“Ata kanë thënë vetë se do të ketë ulje të çmimit deri në 12-13 për qind. Tek disa kompani ka pasur ulje të çmimeve, por ato më të mëdhatë që mbulojnë pjesën më të madhe të tregut nuk kanë pasur ulje të çmimit të produkteve dhe kanë dashur të përfitojnë nga rryma e subvencionuar nga Qeveria”, theksoi Bekteshi duke shtuar se si rrjedhojë e kësaj, Qeveria ka vendosur që t’ua heqë rrymën e subvencionuar.

Bekteshi potencoi se përderisa kjo kryesi është në Ministrinë e Ekonomisë, këto kompani nuk do të mund të kenë takim me ta, pasi siç tha ai “ditën që e kanë shpallur masën e kanë shkelur duke punuar në mënyrë të paligjshme”.

Ministri tha se Ministria e Ekonomisë është duke bërë analiza për ngrirjen e çmimeve të produkteve të tjera ushqimore bazë.

“Të gjitha produktet e listuara në vendimin për kufizimin e marzhit janë duke u analizuar, aktualisht janë duke u analizuar në mënyrë specifike çmimet e makaronave dhe produkteve të qumështit dhe me shumë mundësi deri në fund të javës së ardhshme do të shohim se çfarë do të tregojë analiza dhe do të marrim vendimet e duhura“, tha ministri.

Grupacioni i Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë ka miratuar vendim që prej nesër të ndalojë me grevën dhe të fillojë të prodhojë dhe furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë sipas çmimit të ngrirë prej 33 denarësh. Nga ana tjetër, kryetari i Grupacionit, Goran Malisheviq, njoftoi se do të udhëheqin kontest juridik për siç tha, dëmin që u shkaktohet me vendimin e qeverisë për ngrirjen e bukës.

“Industria e Bukëpjekësve është viktimë e marrëzisë dhe vendimeve të cilat miratohen në dëm të industrisë së bukpjekësve. Vendimet e Qeverisë që i miratoi Qeveria shkaktojnë dëme të mëdha në vlerë prej 1,5 milionë euro në muaj”, tha Malisheviq pas mbledhjes me anëtarët e Grupacionit.

Rikujtojmë se sot njoftoi Qeveria se ka miratuar vendim me të cilin i obligoiprodhuesit e bukës të mos e rrisin çmimin mbi 33 denarë.

Me vendimin përcaktohet detyrimi i tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për kryerjen e prodhimit të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose diku tjetër me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, që të marrin dhe/ose shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë të prerë në feta ose të plota.

Ky vendim i qeverisë vjen pasi raftet e bukës në dyqane mbetën bosh për të dytën ditë pasi anëtarët e Grupit të Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë nuk furnizonin me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, duke thënë se ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur dje gjobat e para për mosbindje ndaj vendimit.

Në 234 kontrolle të kryera nga inspektorët, janë konstatuar parregullsi në tri kompani nga Shkupi dhe një nga Kumanova që shisnin bukë me çmim më të lartë se 33 denarë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë ndaj këtyre kompanive.

“Gjatë kontrolleve janë bërë katër procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba mbi 300.000 denarë. Gjobat janë shumë të larta, janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë, madje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik. Janë konstatuar tri parregullsi në Shkup dhe një parregullsi në Kumanovë, gjegjësisht situatë ku buka nuk ka qenë me çmimin e ngrirë, përkatësisht ka qenë mbi 33 denarë”, thotë në një deklaratë për media Aleksandra Koteli nga IShT.

Inspektorati Shtetëror i Tregut dje ka bërë me dije se do të vazhdojë të kryejë kontrolle lidhur me respektimin e çmimit të ngrirë të bukës të miratuar me Vendim të Qeverisë. Po ashtu, thonë nga atje, është e nevojshme që të gjithë ne të respektojmë Vendimet e Qeverisë, sepse qëllimi parësor është që në kohë krize të shtypet profiteria dhe të qëndrojmë për solidaritet, pra të kemi mirëkuptim dhe t’iu dalim në përkrahje qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button