RMV, çmimi i bukës u ngri në 33 denarë, kompanitë nuk do të marrin subvencion për rrymën

Qeveria e Maqedonisë së veriut e ngriu në 33 denarë çmimin e bukës dhe e shfuqizoi çmimin e subvencionuar të rrymës për kompanitë. Me ngrirjen e çmimit, buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë e prerë në rriska ose në tërësi prej 450 gramë, do të jetë 33 denarë, njofton Portalb.mk.

Ngrirja çmimit të bukës do të vlejë deri më 31 maj, ndërkaq do të hyjë në fuqi pasi të shpallet në “Gazetën Zyrtare”, sonte ose nesër. Shfuqizimi i çmimit të subvencionuar të rrymës, do të vlejë prej 1 prillit.

Kompanitë prej dhjetorit të vitit të kaluar patën mundësi të shfrytëzojnë çmim më të favorshëm për rrymën elektrike, por analizat kanë treguar se edhe përskaj subvencioneve, ata nuk e kanë ulur çmimin e bukës.

“Masat kundër krizës i kemi miratuar që të sigurojmë vjeshtë dhe dimër të qetë dhe të parashikueshme për qytetarët dhe kompanitë gjatë kohës së krizës energjetike. Kompanitë kanë marrë çmim të rrymës nëpërmjet ESM-së më ulët se sa që është në bursë. Ka kaluar periudhë e mjaftueshme nga pakoja e fundit e masave që çmimet të harmonizohen. Kontrollet e Inspektoratit Tregtar treguan se edhe pse kompanitë kanë marrë rrymë të subvencionuar, çmimet nuk i kanë ulur ndjeshëm. Rritja të paarsyeshme të çmimeve nuk do të lejojmë. Për atë, në seancën e sotme këtë masë e shfuqizuam. Prodhuesit e prodhimeve ushqyese bazë do të furnizohen me rrymë sipas Ligjit për Energjetikë dhe rregullave për furnizim me rrymë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Prodhuesit e bukës dje kërcënuan se nëse ngrihet çmimi i bukës, ata do të ndalojnë me prodhimtari.

“Nëse Qeveria miraton masën për kufizimin e çmimit të bukës, nga dita e nesërme nuk do të ketë bukë në treg”, deklaroi Goran Malishiq, kryetar i Grupacionit për industrinë e mullinjve dhe furrës, pas takimit në Odën e Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Sipas analizave të Ministrisë së Ekonomisë, për një pjesë të madhe të kompanive që kanë shfrytëzuar energjinë elektrike të subvencionuar nga EMV Shitja me çmim prej 80 euro për megavat orë, nuk ka ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

“Në bazë të të dhënave nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, propozimi i Ministrisë së Ekonomisë drejtuar Qeverisë është që të shfuqizohet masa për të gjitha kompanitë nga sektori ushqimor. Masa e subvencionuar e energjisë elektrike prej 80 euro për megavat/orë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë ishte e vlefshme nga 1 dhjetori 2022 deri më 30 prill 2023. Masa dedikohej për kompanitë që prodhojnë produkte – vaj ushqimor, bukë dhe produkte buke, miell, qumësht dhe produkte qumështi, industrinë e mishit dhe shpendëve. Qëllimi i kësaj mase ishte që kompanitë nga sektori ushqimor të ulin çmimet e produkteve ushqimore bazë”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button