Këshilli i Komunës së Tetovës vendosi që të prishet objekti ilegal te parkingu në bllokun urban 37 (Video)

Objekti ilegal i fundit i mbetur në hapësirën publike te blloku urban 37 për të cilin tani e disa muaj Portalb ka raportuar do të prishet, pasi aty është i paraparë të jetë parking. Kështu vendosi sot Këshilli i Komunës së Tetovës me 29 vota “për” dhe 1 “të përmbajtur”, shkruan Portalb.mk.

Për rastin në fjalë, nga Sektori i Urbanizmit në Komunën e Tetovës, Besa Zendeli sqaroi se në bazë të dokumentacionit urbanistik aty parashikohet ndërtimi i objekteve me interes publik, saktësisht parking.

“Kërkesa për legalizimin e objektit është me destinim të kundërt dhe këshilli duhet të vendos të bëjë harmonizimin apo mos harmonizimin”, tha Zendeli.

Këshilltari nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Liridon Disha pyeti nëse ka proces gjyqësor për këtë rast.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetje, kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi mohoi diçka të tillë dhe sqaroi se Komuna e Tetovës në atë hapësirë ka kërkuar nga pronarët që kanë tarraca të largohen për arsye se duhet të bëhet parking.

“I vetmi rast që nuk e ka larguar është ky vend në fjalë, tani ne duhet të sjellim vendim në këshill që t’i refuzohet kërkesa që ai ka bërë për legalizim që të bëjmë parkingun e Komunës”, tha Durmishi.

Me këtë këshilltarët votuan që ky objekt të prishet, me 29 vota “për” dhe 1 “të përmbajtur”.

Kryetari i Këshillit, Durmishi më pas për Portalb sqaroi se pronari në fjalë është ankuar te Ministria e Transportit, por që ka marrë përgjigje negative.

“Ai  ka dërguar kërkesë për legalizim, ne sollëm vendim që mos të ja legalizojmë dhe të bëhet parking. Me vendimin e këshillit, automatikisht inspektorati do të shkojë deri te pala dhe do i thotë që në bazë të vendimit që e ka sjellë Këshilli i Komunës së Tetovës ti duhet ta dislokosh këtë objekt. Në qoftë se nuk e bën atëherë inspektorati merr masa shkon ia prishën”, tha Durmishi.

Ky është objekti që do të prishet.

Debatin e këshilltarëve për të njëjtin mund ta ndiqni në videon e mëposhtme duke filluar nga ora: 3:03:57.

Portalb.mk ka ndjekur këtë rast tani e disa muaj, pasi në shtator të vitit 2022 te kjo hapësirë në bllokun urban 37 apo e njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve”, Komuna e Tetovës filloi të ndërtojë parking dhe të largojë uzurpimet. Megjithatë, aty mbeti një objekt i cili nuk është prishur ende, edhe atë mu në qosh të bllokut.

Për të njëjtin banorët e kësaj lagjeje shfaqën ankesa në Portalb.mk se lirimi i hapësirave publike është bërë në mënyrë selektive dhe se objekti i fundit mbetet pa larguar përderisa tjerët janë prishur.

Megjithatë, kryetari i Komunës së Tetovës, disa herë pyetur nga Portalb ka deklaruar se edhe ai objekt do të prishet por duhet të kalojnë disa procedura dhe afate dhe e njëjta të kalojë përmes këshillit komunal, që ndodhi sot.

Në këtë hapësirë sipas planit të Komunës në fazën e parë në plan ishin krijimi i 56 vendeve të parkimit dhe në fazën e dytë 26 vende parkimi. Përveç vendeve të parkimit, në këtë hapësirë sipërfaqja është shtruar me pllaka begatoni.

Ky është plani i komunës për krijimin e parkimeve në këtë hapësirë:

This slideshow requires JavaScript.

Kujtojmë që shndërrimi në parking i kësaj hapësire ishte kërkesë e kamotshme e banorëve që jetojnë në ndërtesat përreth.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button