Banorët e bllokut 37 në Tetovë: Përkrahim vendimin e komunës për krijimin e parkingut, Komuna: Projekti realizohet sipas planit

Banorët e bllokut 37 në Tetovë, apo e njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” shprehen se përkrahin vendimet e Komunës së Tetovës për lirimin e hapësirës publike në atë pjesë dhe shndërrimin e saj në parking të mbyllur. Ata thonë se ka kohë të gjatë që ata këtë e kanë kërkuar, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse hapësira u pastrua, ndërkaq negativisht reaguan disa OJQ, banorët e kësaj lagjeje thonë se ajo ishte e nevojshme për tu bërë pasi e njëjta ka qenë e uzurpuar ilegalisht dhe është dashur të pastrohet.

“Banorët shprehen të kënaqur me rregullimin e vendit pas Tajos, uzurpuesit e hapësirave publike duhet dënuar, drunj mund të mbjellësh në kopshtin tënd, jo në parkingjet e ndërtesave. Kemi qenë peng i disa uzurpuesve. Përkrahim fuqishëm vendimin e komunës, kështu duhet vazhduar. OJQ-të dhe mediat të informohen mirë para se të raportojnë dhe keqinterpretojnë”, thotë një banor i kësaj lagjeje.

“Ne jemi pro krijimit të parkingut në këtë hapësirë pasi të njëjtën e kërkojmë prej shumë kohë dhe vetëm tani po gjen zbatim, puna e drunjve mendoj se nuk u sqarua mirë nga ana e autoriteteve. Por që duheshin prerë për tu rregulluar hapësira ashtu si kemi kërkuar ne. Komuna duhej të njoftonte se çfarë është puna realisht me ato drunjtë, duke pasur parasysh situatën e krijuar para disa muajsh për një rast të ngjashëm”, tha një banor tjetër.

“Nuk duhet të gjejmë gjilpërën në kashtë, kanë filluar të punojnë dhe mirë po bëjnë, parkingu për ne është shumë i nevojshëm dhe shpresoj mos të ngelë në gjysmë”, tha një qytetare.

Nga Komuna e Tetovës njoftojnë se punimet realizohen në bazë të kërkesës së qytetarëve në prill të vitit 2017 dhe shkurt të vitit 2022 të nënshkruara nga 100 banorë me banim në këtë zonë, për riparimin e gjithë rrugës, shtrimin me pllaka begatoni, vendosjen e ndriçimit publik dhe rregullimin e parkingut sipas PDU-së të planifikuar për bllokun 37 të qytetit të Tetovës.

“Sipas planit të Sektorit për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit dhe natyrës për realizimin e parkingjeve publike për vitin 2022, janë planifikuar që në atë vend të realizohen 100 vendparkingje. Sipas PDU-së për bllokun 37 është përgatitur projekti i komunikacionit për vendparkingje të mbyllura. Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit dhe natyrës me datë 05.04.2022 i njoftoi qytetarët se sipas programit tonë vjetor për realizimin e parkingut në qytetin e Tetovës, në bllokun urban 37 është paraparë të realizohet në periudhën prill-korrik, ku do të vendosen pllaka të reja bekatoni, shënimi horizontal dhe ndriçimi publik”, thanë nga Komuna.

Nga atje theksuan se me datë 26.07.2022 është dhënë urdhër për punime ndërtimore në rr. D.G. Kara – blloku urban 37.

“E gjithë puna është e koordinuar me qytetarët që jetojnë në të njëjtën rrugë dhe zhvillohet pa asnjë problem”, thonë nga Komuna duke bashkëngjitur fotografi se si ka qenë para fillimit të punimeve të ndërtimit dhe si është i planifikuar projekti.

This slideshow requires JavaScript.

Komuna e Tetovës me 22 korrik ka nënshkruar kontratë me “Çabi Trans” për ndërtim të parkingjeve të mbyllura në territorin e Komunës së Tetovës. Vera e kësaj kontrate është 3 milion denarë me TVSH.

Kujtojmë që vetëm para dy javësh qytetarët të cilët jetojnë në këtë hapësirë për Portalb.mk deklaruan problemet me infrastrukturën dhe parkingjet.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk në muajin korrik njoftoi se pikërisht në këtë rrugë, ishte paraparë parking zonal, ku aso kohe thanë se janë në pritje të inspektoratit për mënjanimin e pengesave,

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button