Tetovë, në Bllokun 37 ende ka uzurpime që pengojnë parkingun e ri, Komuna premton se do të prishen (Foto)

Banorët e ndërtesave të bllokut urban 37 në Tetovë, të njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” për redaksinë e Portalb.mk kanë shfaqur dyshimet se parkingu i ri që po ndërtohet mund të mos bëhet sipas planit dhe se komuna mund të bie pre e uzurpatorëve të hapësirës publike që gjenden aty. Nga ana tjetër, nga Komuna thonë që do të rrënohen ndërtimet ilegale dhe se do të veprohet sipas planit për realizimin e parkingjeve.

Në hapësirën e bllokut urban 37 po punohet për krijimin e parkingut të mbyllur nga ana e Komunës së Tetovës, të cilin banorët tani e shumë kohë e kërkojnë. Megjithatë, në bisedë me Portalb.mk ata shprehin brengat e tyre se ky plan nuk do të realizohet sipas asaj që është shkruar në letër, pasi uzurpatorët, sipas tyre, përbëjnë kërcënim për implementimin e plotë të projektit nga ana e Komunës.

Portalb.mk ndjek dinamikën e punës. Ekipet punojnë, megjithatë ka mbetur pa prishur një objekt ilegal për të cilin dyshojnë qytetarët se mund të mbetet shkaku i presionit ndaj komunës. Gjithashtu, përballë tij, hapësira e “murit të gjelbër” nuk është prishur deri në fund. Edhe kjo, sipas banorëve, është simptomatike.

Rruga te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë, Blloku 37
Objekti ilegal Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të pyetur nga Portalb.mk se a do të lirohen të gjitha hapësirat e uzurpuara dhe se a do realizohet parkingu ashtu siç është i paraparë në projekt, nga Komuna e Tetovës premtojnë se e njëjta do të implementohet në praktikë.

“Sa i përket pyetjes, Komuna vepron sipas planit për realizimin dhe ndërtimin e parkingjeve”, tha Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale.

This slideshow requires JavaScript.

Në këtë hapësirë sipas planit në letër të Komunës së Tetovës parashihet të krijohen 56 vende parkimi, mirëpo për Portalb.mk në një deklaratë Komuna tha se aty parashihen 100 vende parkimi. Të pyetur se sa do të jetë numri real i vendeve të parkimit, nga Komuna sërish thanë se 100.

“Në fazën e parë janë të parapara 56 vende dhe në fazën e dytë 26 vende, varësisht prej konfiguracionit të terrenit ky numër mund të shtohet, që e vërtetojmë që do të jetë 100 vende parkimi”, tha Jonuzi.

Edhe pse të pyetur se kur do përfundojë i gjithë projekti, nga komuna nuk dhanë përgjigje për të njëjtën.

Në këtë hapësirë, parashihet ndërtimi i parkingut të mbyllur, riparim i gjithë rrugës, shtrimi me pllaka bekatoni dhe vendosja e ndriçimit publik.

Komuna e Tetovës me 22 korrik ka nënshkruar kontratë me “Çabi Trans” për ndërtim të parkingjeve të mbyllura në territorin e Komunës së Tetovës. Vlera e kësaj kontrate është 3 milion denarë me TVSH.

Kujtojmë që vetëm para tre javësh qytetarët të cilët jetojnë në këtë hapësirë për Portalb.mk deklaruan problemet me infrastrukturën dhe parkingjet.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk në muajin korrik njoftoi se pikërisht në këtë rrugë, ishte paraparë parking zonal, ku aso kohe thanë se janë në pritje të inspektoratit për mënjanimin e pengesave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button