Bekteshi: Kompanitë ushqimore që përdorin rrymë të subvencionuar nuk ulën çmimet, do të propozojmë heqjen e masës
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mbrëmë në emisionin “Magazina ekonomike” në TV Alsat, tha se ministria që ai drejton me gjasë do t’i propozojë Qeverisë heqjen e masave të ndihmës për kompanitë që nuk respektuan marrëveshjen për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, transmeton Portalb.mk.
Përkatësisht, masat parashikonin që kompanitë nga sektori ushqimor të paguajnë energjinë elektrike me çmim preferencial, pra të marrin subvencione nga Qeveria, por me kusht që të ulin çmimet e produkteve ushqimore bazë.
Siç theksoi ministri, një numër i madh i kompanive kanë shkelur marrëveshjen dhe nuk kanë ulur çmimet e tyre.
Sipas Bekteshit, Ministria e Ekonomisë ka pranuar raportin e Inspektoratit të Tregut dhe pas përfundimit të analizës, ai nuk e përjashton mundësinë që dikasteri i tij t’i propozojë Qeverisë heqjen e masës së subvencionimit të energjisë elektrike për kompanitë e sektorit ushqimor.
“Kemi pasur disa takime me odat ekonomike, veçanërisht me sektorët që merren me prodhimin e produkteve bazë, ku të gjithë kemi arritur në përfundimin se qeveria duhet të marrë masat e duhura për të ndihmuar prodhuesit e energjisë elektrike që të ulin çmimet e produkteve që theksohen në vendimin e qeverisë, si buka, gjalpi, makaronat dhe qumështi, veçanërisht për fëmijët. Një pjesë e konsiderueshme e kompanive vendore për fat të keq nuk e kanë respektuar marrëveshjen që kemi arritur mes Qeverisë dhe Odave ekonomike”, tha Bekteshi.
Sipas ministrit të Ekonomisë, raporti përfundimtar pas analizave të raportit të Inspektoratit të Tregut duhet të jetë gati deri në fund të këtij muaji.
Megjithatë, të dhënat paraprake, theksoi ai, tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e kompanive që kanë shfrytëzuar masën për energji elektrike të subvencionuar nuk kanë respektuar marrëveshjen.
“Do të thosha se diku mbi 60 e deri në 70 për qind nuk e respektuan vendimin dhe mbajtën të njëjtat çmime, krahasuar me muajin nëntor, para se të hynte në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë do t’i propozojë Qeverisë që të marrim vendim për heqjen e kësaj mase”, tha Bekteshi.
Mjetet për kompanitë, siç tha ai, do të ripërdoren në ndihmë të kategorive të rrezikuara të qytetarëve.
“Masa për shkollat fillore dhe të mesme do të mbetet, këtë e kemi premtuar. Për ndërmarrjet komunale publike do të qëndrojë deri në përfundim të situatës së krizës. Për kompanitë, propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për Qeverinë do të jetë që ato mjete të shfuqizohen dhe të përdoren për masa në mbështetje të qytetarëve, veçanërisht për ata që nuk kanë të ardhura të mëdha”, tha Bekteshi.
Këtë mundësi Bekteshi e bëri të ditur tashmë më 10 shkurt në një konferencë për media, kur iu kërkua të jepte shpjegim se pse nuk anulohet çmimi preferencial i energjisë elektrike në sektorin ushqimor, duke qenë se në tregje janë ulur vetëm dy-tre produkte.
“Duhet të kemi një raport përfundimtar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në fund të këtij muaji dhe sipas atij raporti do të merren vendime të caktuara. Sipas gjendjes së shpallur të krizës, vendimet mund të jenë selektive, kështu që kjo masë mund të mos zbatohet më për ato kompani që nuk i kanë ulur çmimet dhe për ato që i kanë ulur dhe realisht janë përpjekur të bëjnë çdo gjë që t’iu dalin në ndihmë qytetarëve – për to të vazhdojë deri në fund të prillit”, tha atëherë ministri i Ekonomisë.
Krahasuar me vendet e Ballkanit, inflacioni që ka shënuar Maqedonia e Veriut me 19.5 për qind është shumë i lartë, kundrejt Bosnjë e Hercegovinës me 17 për qind, Malit të Zi dhe Serbisë me rreth 15 për qind, Bullgarisë me 14 për qind, Kroacisë me 13 për qind , Sllovenisë me rreth 11 për qind, Greqisë me 9 për qind dhe Shqipërisë me 8 për qind.
- LEXO: Inspektorati i tregut: Askush nuk mund ta kontrollojë rritjen e çmimeve në markete sepse nuk mund të ndikohet në çmimin e prodhimit
- LEXO: Bekteshi: Produktet ushqimore bazë do të qëndrojnë me marzhe të ngrira deri në fund të prillit, mund të merren edhe masa të tjera
- LEXO: Çmimet e produkteve bazë nuk lëvizin në Maqedoninë e Veriut
Komentet