Seanca maratonë e Kuvendit: Akuzat e VMRO-DPMNE-së provokuan kryeministrin të replikojë

Mbrëmë pas mesnate ka vazhduar seanca e 104-të e Kuvendit, në rendin e ditës së të cilit është rikonstruimi i Qeverisë. Më herët në seancë folën në pjesën më të madhe përfaqësuesit e opozitës VMRO-DPMNE, ku disa nga temat kryesore që trajtuan ishin standardi i qytetarëve, inflacioni, lartësia e pagave, por edhe anëtarësimi në NATO, kujdesi për pakicat maqedonase dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.

Akuza të tilla i paraprinë edhe pushimit para orës 23:00, që ishte rasti që kryeministri Dimitar Kovaçevski të përgjigjej në foltoren e Kuvendit.

Vaji ushqimor është shtrenjtuar më shumë se 150 për qind, një kilogram miell është shtrenjtuar 100 për qind, bëhet reket sipas popullsisë. Paguajmë rrymë më të shtrenjtë, faturat janë më të larta. Ku janë paratë, këtë po pyet populli, tha Beti Stamenkoska Trajkoska, deputete e VMRO-DPMNE-së, në seancën parlamentare për shkarkimin e ministrave nga Alternativa.

Ajo theksoi se rritja e pagave me të cilën mburret kryeministri është ngrënë nga inflacioni, fuqia blerëse është më e ulët se më parë, ka protesta të përditshme, ndërsa qeveria nuk bën asgjë.

Për atë se çfarë është bërë gjatë mandatit të kësaj Qeverie dhe çfarë shohin qytetarët që tregojnë treguesit e shumtë ekonomikë, reagoi me replikë kryeministri.

“Paga mesatare tani është mbi 34.000 denarë, ndërsa në kohën e VMRO-DPMNE-së mezi ka qenë 20.000 denarë. Në kohën kur ishte në pushtet VMRO-DPMNE, paga minimale ishte 8.000 denarë, tani është 18.000 denarë. Dhe nga marsi do të bëhet mbi 20.000 denarë”, tha kryetari i LSDM-së dhe kryeministër, Dimitar Kovaçevski.

Lidhur me euroobligacionet, Kovaçevski tha se është për rifinancimin e euroobligacionin që VMRO-DPMNE e ka marrë për stiroporin, palmat dhe monumentet në Shkup.

“Nëse doni të shihni se çfarë është bërë me ato para, ejani në ndërtesën e Qeverisë për të parë se si coptohet stiropori”, tha Kovaçevski.

Në seancë po diskutohejpër shkarkimin e ministrit të Diasporës nga radhët e Alternativës Xhemail Çupi. Ndryshe, deputetët ende nuk janë deklaruar, gjegjësisht nuk kanë votuar për shkarkimin e ministrave të Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informatike, Bekim Sali dhe Admirim Aliti, edhe pse debati për ta ka përfunduar.

Deputeti dhe koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Miceski, në një nga fjalimet e tij procedurale e ka akuzuar kryeministrin se ka gënjyer sepse partia opozitare nuk ka përkrahur hyrjen e vendit në NATO.

“Kemi stenograme, flasim për kryeministrin e një vendi, kryeministri guxon të gënjejë nga foltorja. Është gënjeshtër! Do t’ju marr transkriptet. Dy të tretat e ligjeve të sigurisë janë mbështetur nga VMRO-DPMNE, andaj ju lutemi kërkoni falje”, tha Miceski.

Pas kësaj është kundërpërgjigjur sërish kryeministri, i cili iu referua edhe akuzave nga opozita për qëndrimin e shtetit ndaj diasporës. Kovaçevski theksoi se Qeveria kujdeset për çdo pjesëtar të diasporës, pavarësisht se ku jeton dhe se vetëm VMRO-DPMNE është ajo që përpiqet të prishë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore i shkatërron vetëm VMRO-DPMNE. Të gjithë ata themelues, pallate, shpërndarës të klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut janë anëtarë të VMRO-DPMNE-së dhe partisë tuaj simotër VMRO-BND, emëruesi i përbashkët i së cilës është presidenti juaj i përbashkët Vanço Mihailov. Dhe sa i përket NATO-s, nëse dilni këtu dhe thoni se VMRO-DPMNE votoi që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e NATO-s, unë do t’ju kërkoj falje”, tha kryeministri.

Rreth mesnatës, kryetari i Kuvendit dha edhe një pauzë prej gjysmë ore pas së cilës deputetët vazhduan debatin.

Në këtë seancë duhet të shkarkohen zëvendësministrat e Mbrojtjes, Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, Bashkim Hasani, Abdulshukur Abedini dhe Lulzim Aliu dhe të zgjidhen zëvendësit e tyre.

Në rendin e ditës të seancës së 104-të janë emërimet e ministrave të rinj – Krenar Loga për drejtësi, Fatmir Mexhiti për shëndetësi, Azir Aliu për shoqëri informative dhe administratë dhe Kaja Shukova për ministre të mjedisit.

Në fillim të seancës që filloi më 13 shkurt, u konfirmuan dorëheqjet e ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupançevski dhe ministrit të mjedisit jetësor Naser Nuredini, si dhe zëvendësministrave të Shëndetësisë Vladimir Rendevski dhe Drejtësisë Agim Nuhiu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button