Bekteshi: Produktet ushqimore bazë do të qëndrojnë me marzhe të ngrira deri në fund të prillit, mund të merren edhe masa të tjera

Masa për ngrirjen e marzheve të produkteve ushqimore bazë, e cila skadon në fund të këtij muaji, do të shtyhet deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm, kohë në të cilën është shpallur kriza energjetike, njoftoi në konferencën e sotme për shtyp ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ku prezantoi propozimin për buxhetin për Ministrinë, transmeton Portalb.mk.

Nëse është e nevojshme, ministri shtoi se do të ndërmerren edhe masa të tjera për uljen e çmimeve të produkteve, megjithëse, siç tha ai, çmimet, veçanërisht të produkteve ushqimore bazë, tashmë janë duke u stabilizuar dhe disa markete zinxhir tashmë kanë filluar të ngrijnë vetë çmimet e produkteve.

“Ishim shumë transparentë para qytetarëve. Nuk thamë që do të ketë ulje 50, 70, 80 për qind për dhjetorin. Mendoj se tashmë ka ulje të lehtë të çmimeve. Këtu në shtypin e Qeverisë pati drama për çmimin e bukës. Tashmë edhe “Zhito Lluks” ka filluar uljen e çmimeve, ndërsa prodhues të caktuar kanë disa javë që i ulin ato. Vaji ushqimor nuk është më 150-160 denarë. Vaji ushqimor mund të gjendet për më pak se 100 denarë në tregje të caktuara, varësisht nga prodhuesi”, shtoi Bekteshi.

Bekteshi theksoi se për muajin janar janë duke u bërë përllogaritje me kompanitë dhe odat ekonomike dhe, siç shtoi ai, priten ulje të mëtejshme të çmimeve.

Sa do të jetë ky reduktim do t’ju informojmë në kohën e duhur kur të përfundojmë konsultimet me të gjitha odat ekonomike”, theksoi ministri.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet shteti me nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, duke shënuar kështu inflacionin më të lartë në mesin e vendeve të rajonit, madje edhe në vendet e Evropës. Ndërkohë, nga të dhënat e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë “FAO” si agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, çmimet e produkteve ushqimore gjatë muajit nëntor kanë shënuar ulje prej 17 për qind krahasuar me marsin e po këtij viti.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shpenzimet për jetesë gjatë muajit nëntor janë rritur për 19.8 për qind krahasuar me po të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar.

Si faktorë kyç që kanë nxitur rritjen e inflacionit në vend llogaritet shtrenjtimi i energjisë dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.

Në bazë të të dhënave të EUROSTAT-it, inflacion më të lartë ka shënuar Hungaria, Estonia, Lituania dhe Letonia, ku inflacioni sillet nga 21 deri 22 për qind.

Krahasuar me vendet e Ballkanit, inflacioni që ka shënuar Maqedonia e Veriut me 19.5 për qind është shumë i lartë, kundrejt Bosnjë e Hercegovinës me 17 për qind, Malit të Zi dhe Serbisë me rreth 15 për qind, Bullgarisë me 14 për qind, Kroacisë me 13 për qind , Sllovenisë me rreth 11 për qind, Greqisë me 9 për qind dhe Shqipërisë me 8 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button