Kovaçevski: Lufta kibernetike me alarmet për bomba nëpër shkolla është pjesë e luftës në Ukrainë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do të takohet me ministrin e Punëve të Brendshme dhe atë të Arsimit, për të shqyrtuar masat shtesë për përballje me lajmërimet e rreme për bomba nëpër shkolla. Ai tha se kjo luftë kibernetike është pjesë e luftës në Ukrainë, sepse po ndodh edhe tek shumë vende anëtare të NATO-s, njofton Portalb.

“Ne nuk e kemi humbur luftën kibernetike dhe as që kemi për ta humbur atë. Kjo luftë kibernetike dhe këto sulme hibride janë pjesë e luftës në Ukrainë dhe ne të gjithë e dimë këtë, sepse nuk po ndodh vetëm në vendin tonë, por edhe në shumë shtete anëtare të NATO-s. Ministri i Brendshëm dje ndau disa informacione në lidhje me ndryshimin e disa protokolleve të caktuara të cilat i zbaton Ministria e Punëve të Brendshme. Sot do kemi një takim me udhëheqësitë e ministrisë së punëve të brendshme dhe atë të arsimit, në të cilin do të diskutojmë në lidhje me miratimin e masave shtesë dhe për ta neutralizuar plotësisht këtë problem me të cilin përballet Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e tjera, në mënyrë që të sigurojmë një proces arsimor të rregullt dhe pa ndërprerje për nxënësit”, tha Kovaçevski.

Ai tha se si Ministria e Punëve të Brendshme, ashtu edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punojnë për ta zgjidhur këtë problem, qëllimi i vetëm i të cilit, sipas tij, është që të ngjallë trazira në një shtet anëtar të NATO -s.

“Sipas procedurave, rregulloreve dhe protokolleve anti -terrorizëm, sepse bëhet fjalë për një lajmërim për bomba, ata duhet të kryejnë procedura të caktuara në përputhje me ligjin, si edhe në të gjitha shtetet e tjera. Për ta evituar largimin e nxënësve nga shkolla, Ministria e Punëve të Brendshme dhe MASh po punojnë çdo ditë për të gjetur një mënyrë për të kryer procedura të caktuara që do të sigurojnë se është lajmërimi për bombë është i rremë, e që fëmijët të mund ta ndjekin mësimin. Dhe unë jam prind dhe edhe unë përballem me të njëjtat probleme sa i përket arsimit të fëmijëve. Nuk është se nuk e di se çfarë po ndodh, por ju duhet të besoni se Ministria e Punëve të Brendshme dhe MASh po punojnë në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Kovaçevski.

Vetëm gjatë ditës së djeshme lajmërime për bomba pranuan 30 shkolla fillore dhe të mesme në Shkup. Pas kontrolleve nga ekipet antiterroriste u vërtetua se të gjitha lajmërimet ishin të rreme. Këtë javë, për çdo ditë, përveç ditës së sotme, deri në castin e publikimit të këtij teksti, alarmet për bomba kishte në dhjetëra shkolla fillore dhe të mesme.

Procesi mësimor ndërpritet vazhdimisht nga alarmet pothuajse të përditshme për bomba që arrijnë deri te shkollat në vend. Gjatë kësaj periudhe duhet të definohen notat, kështu që ndërprerjet e shpeshta të mësimit e vështirësojnë procesin e testimit dhe përcaktimit të notave. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka urdhëruar që mësimi të vazhdojë online, por pati reagime nga prindërit të cilët thanë se fëmijët e tyre nuk mund të kyçen në programin “Teams” për ndjekjen e procesit mësimor. Për këtë problem reagoi edhe BNJVL.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button