RMV, mësim online kur ka kërcënime me bomba, Kovaçevski habiteti si e-mailet e institucioneve u bënë të disponueshme për kërcënuesit

Për shkak të raportimeve për bomba që prej muajsh bllokojnë sistemin arsimor në vend, shkollat ​​fillore dhe të mesme kanë marrë rekomandime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të vazhduar mësimin online në ditët kur marrin mesazh kërcënues për bombë, transmeton Portalb.mk.

Sipas udhëzimeve të ministrisë resore, nxënësve do t’u lihej një orë për t’u kthyer në shtëpi dhe për të marrë pjesë në mësimet që do të zhvillohen në mënyrë elektronike për të mos humbur mësimin.

Dje, prindërit morën edhe një mesazh ku u kërkonin të kontrollonin profilet e fëmijëve të tyre në platformën Teams, në të cilën ndiqej edhe mësimi online gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në letrën e dërguar nga MASh shkollave fillore dhe të mesme tregohen mënyrat e përdorimit të adresave elektronike dhe udhëzimet për forcimin e kontrollit të hyrje-daljeve në shkolla.

Lufta hibride nuk po shuhet, ndërsa viktimat janë më të rinjtë dhe sistemi arsimor. Në dy ditët e fundit shkollat ​​në të gjithë vendin kanë marrë mbi 100 njoftime elektronike me kërcënime për vendosje të mjeteve shpërthyese.

Prej gjashtë muajsh autoritetet janë të pafuqishme për të zbuluar se kush po luan me sistemin dhe po rraskapit institucionet shtetërore që kryejnë çdo ditë kontrolle antiterroriste.

Publiku ekspert beson se qëllimi i raportimeve të tilla të rreme për bomba është dëmtimi i shtetit.

Kryeministri Kovaçevski, nga ana tjetër, motivin e sulmeve kibernetike ia atribuoi konfliktit në Ukrainë, edhe pse shprehu dyshime se si adresat e ndryshuara elektronike të institucioneve u vunë menjëherë në dispozicion të dërguesve të alarmeve të rreme për bomba.

Një nga mesazhet që ka arritur në adresën e emailit kërkon largimin e LSDM-së nga pushteti.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button