VMRO-DPMNE: Grubi t’u shpjegojë qytetarëve se si mund të blejë lokal kaq të lirë në qendër të qytetit, ndërsa ata nuk munden

Artan Grubi tha se për pronën prej 130 m2 që kanë blerë në qendër të Shkupit, në rrugën “Maqedonia”, ka paguar vetëm 100 mijë euro. Nëse e kanë paguar aq, atëherë skandali është edhe më i madh, sepse kompania familjare e zëvendëskryeministrit në qeverinë Kovaçevski ka blerë pronë luksoze me çmim jashtëzakonisht të volitshëm, thuhet në kumtesën e sotme të VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.

Ata theksojnë se nëse Grubi ka paguar 100 mijë euro për 130 m2, atëherë rezulton se prona vlen rreth 700 euro për m2.

“Grubi nuk mund të nënvlerësojë inteligjencën e njerëzve. Në Shkup nuk mund të blesh një metër katror për 700 euro as në pjesët më periferike, e jo më në qendrën më strikte. Në atë pjesë të qytetit, metër katërori për banim është mbi 2000 euro e lart, ndërsa ato për biznes janë edhe më të shtrenjta. Grubi le t’u shpjegojë qytetarëve se si mund të blejë një lokal kaq të lirë dhe ata nuk munden”, theksuan nga VMRO.

Nga aty pyesin nëse Grubi ka abuzuar me pozitën dhe ka ndikuar që familja e tij të blejë një lokal kaq ekskluziv me një çmim kaq të lirë.

Kujtojmë se Artan Grubi dy ditë më parë në emisionin “Vetëm intervista” në Kanal5 deklaroi se nuk ka asgjë të përbashkët me biznesin e vëllaut të tij për të cilin e akuzojnë nga VMRO DPMNE. Sipas Grubit, vëllau i tij është në biznesin e turizmit më shumë se 20 vite.

“Vëllau imë pronën e tij për punën e agjencionit turistik e ka marrë me kredi hipotekare 100 mijë euro. Ai që 20 vite operon me biznesin e tij në fushën e turizmin dhe nuk ka absolutisht as edhe një lidhje të vetme me mua. Po lexoj komente të tmerrshme, me vrer se si mundet një shqiptar të ketë në pronësi një hapësirë në qendër të Shkupit? Kush qenka ai maqedonas që i dha pronë një shqiptari në qendër të Shkupit?, dhe realisht kjo është një fatkeqësi”, tha Grubi.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov disa ditë deklaroi se familja e Grubit ka biznes milionësh dhe pronë përmes vëllait të tij, i cili në mënyrë direkte apo indirekte është i lidhur me më shumë biznese, siç është edhe ai i kalibrimit të instrumenteve për mbushjen e derivateve të naftës dhe gasit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button