Pritja me gjuhën dhe flamurin shqiptar të Vjosa Osmanit në Tetovë, frustruese për partitë maqedonase

Me rastin e vizitës së presidentes së Republikës së Kosovës në Tetovë, dje të rinjtë nga partia e VMRO-DPMNE-së kanë ngjitur një pankartë në hyrje të Tetovës me mbishkrimin në gjuhën maqedonase me alfabet cirilik “Tetova (zemër) Maqedoni”. Deputetët e kësaj partie kanë komentuar se “Tetova është maqedonase” ndërsa këtë pankartë ata e ngjitën afër pankartës së ngjitur nga ana e Komunës së Tetovës ku thuhej “Mirë se vjen zonja presidente”. Por, sot Portalb.mk në terren verifikoi se pankarta me mbishkrimin në maqedonisht ishte larguar.

“Të rinjtë e VMRO DPMNE-së nga Tetova sot kanë vendosur një pankartë në hyrje të Tetovës dhe i kanë dërguar mesazh kryetarit Bilall Kasamit!”, informuan dje nga të rinjtë e VMRO-së nga Tetova.

Ky postim u shpërnda në Facebook edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, si Dafina Stojanovska dhe Aleksandër Veljanovski. Ata në postimet e tyre kanë lënë mbishkrime nacionaliste se “Tetova është maqedonase”, dhe se haptazi i kundërvihen flamujve shqiptar dhe mikpritjes së Osmanit në gjuhën shqipe, duke e quajtur “aksion kundërvënës”. Pankarta mori reagime në opinion, sidomos në rrjetet sociale, duke u quajtur nacionaliste, e pa vend, dhe se mes tjerash jep mesazhin për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike, taktikë kjo e njohur nga partitë maqedonase, sidomos nga VMRO-ja.

Kështu dukej kjo pankartë.

Pankarta e vendosur nga të rinjtë e VMRO-DPMNE-së, Foto nga Facebooku i: УМС ВМРО ДПМНЕ Тетово
Pankarta e vendosur nga të rinjtë e VMRO-DPMNE-së, Foto nga Facebooku i: УМС ВМРО ДПМНЕ Тетово

Por, Portalb.mk më herët gjatë ditës sot verifikoi në terren se kjo pankartë ishte larguar.

U largua pankarta "Tetova - Maqedoni", foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
U largua pankarta “Tetova – Maqedoni”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me vizitën e presidentes së Republikës së Kosovës në Tetovë dhe vendosjen e dekorimeve nga ana e Komunës, reaguan dy partitë maqedonase, VMRO DPMNE dhe LSDM.

Nga VMRO-ja u bënë thirrje institucioneve të vendit që të marrin masa dhe të veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi sa i përket vendosjes së tabelave vetëm në gjuhën shqipe, me të cilat presidentja e Republikës së Kosovës u mirëprit në Komunën e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, duke përshëndetur bashkëpunimin e mirë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, mendojmë se është mirë të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore, por jemi kundër keqpërdorimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë dhe vlerësojmë se është e papranueshme zhvlerësimi i përdorimit të gjuhës maqedonase si gjuhë e vetme zyrtare si dhe flamuri kombëtar”, thanë nga VMRO-DPMNE-ja, dega e Tetovës.

Nga LSDM-ja akuzuan kryetarin e Komunës së Tetovës për nacionalizëm.

“Edhe pse në qëndrimet dhe veprimet e tij të mëparshme e kemi thirrur që t’i rishqyrtojë ato dhe të heqë dorë nga blerja e pikëve të vogla politike përmes veprimeve nacionaliste, ai ende vazhdon të luajë me ndjenjat e komuniteteve më të vogla etnike, të cilët n ia besuan nderin e të qenit kryetar komune. I rikujtojmë se komuna e Tetovës nuk është pronë e tij por është e të gjithë banorëve të saj, andaj si kryetar komune është i obliguar t’i respektojë kërkesat e tyre dhe në asnjë rast nuk guxon të cenojë dhe lëndojë ndjenjat e qytetarëve në asnjë bazë”, thanë nga LSDM-ja, dega e Tetovës.

Kujtojmë që sot presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi Tetovën. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i dhuroi çelësin e qytetit. Presidentja tha se ndjehet si në shtëpi, ndërkaq tani me çelësin e qytetit u rikonfirmua se me Tetovën do të mbeten shumë të afërt çdoherë, do të gjejnë gjithnjë mënyra të reja për të bashkëpunuar dhe për të realizuar projekte të reja. Osmani vizitoi shkollën fillore “Liria”, sheshin e qytetit, Xhaminë e Larme si dhe Universitetin e Tetovës, ajo po ashtu pati takim edhe me kryetarët e komunave shqiptare në RMV.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button