Bukëpjekësit u bënë pishman: Prej nesër do të shesim bukë me çmim 33 denarë

Grupacioni i Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë ka miratuar vendim që prej nesër të ndalojë me grevën dhe të fillojë të prodhojë dhe furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë sipas çmimit të ngrirë prej 33 denarësh, njofton Portalb.mk.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupacionit, Goran Malisheviq, njoftoi se do të udhëheqin kontest juridik për siç tha, dëmin që u shkaktohet me vendimin e qeverisë për ngrirjen e bukës.

“Industria e Bukëpjekësve është viktimë e marrëzisë dhe vendimeve të cilat miratohen në dëm të industrisë së bukpjekësve. Vendimet e Qeverisë që i miratoi Qeveria shkaktojnë dëme të mëdha në vlerë prej 1,5 milionë euro në muaj”, tha Malisheviq pas mbledhjes me anëtarët e Grupacionit.

Ai tha se janë në konsultime me juristë, pasi që vendimet qeveritare janë të paligjshme dhe kundërkushtetuese.

Megjithatë, ai theksoi se prej nesër do të ketë bukë prej 33 denarësh dhe do ta respektojnë vendimin qeveritar.

“Bukëpjekësit miratuan vendim që prej nesër të fillojnë me prodhim dhe furnizim të disa llojeve të caktuara të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, varësisht prej mundësive që çdo furrtari i ka që të mundet t’u dalë ndihmë konsumatorëve, por edhe të mbijetojë në periudhën për shkak të vendimeve të gabuara që ka miratuar Qeveria. Javën e ardhshme do të nisim konsultime intensive për procedurën juridike”, shtoi ai.

Në pyetjen e gazetarëve se si kanë mundësi bukëpjekësit e Shtipit ta shesin bukën 33 denarë, ndërkaq të Shkupit ankohen se s’kanë llogari, Malishiq tha t’i pyesin ata.

Ndryshe, shumica e rrjeteve të marketeve më të mëdha prej ku furnizohen qytetarët, sot raftet e bukës me çmim 33 denarë i kishin të zbrazura. Qytetarët ankohen për vendimin johuman të kompanive të bukës, ndërkaq furnizohen nga furrat e vogla.

Në bisedë joformale me njërin prej menaxherëve të një marketi në Çair, na tregoi se ka komunikuar me dy prej kompanive më të mëdha të bukës që i furnizojnë ata dhe se kanë paralajmëruar se prej nesër do të furnizojnë.

“Kjo nuk mund të zgjatë shumë, pasi që kompanitë më të vogla gjithsesi po prodhojnë bukë dhe ata po ua marrin tregun kompanive të mëdha. Nuk është në rregull që ndaluan me furnizimin e bukës, patjetër duhet të ketë zgjidhje, nuk mund të shantazhohen qytetarët me bukën”, tha për Portalb.mk, menaxheri i cili dëshiroi të mbetet anonim.

Rikujtojmë se sot njoftoi Qeveria se ka miratuar vendim me të cilin i obligoiprodhuesit e bukës të mos e rrisin çmimin mbi 33 denarë.

Me vendimin përcaktohet detyrimi i tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për kryerjen e prodhimit të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose diku tjetër me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, që të marrin dhe/ose shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë të prerë në feta ose të plota.

Ky vendim i qeverisë vjen pasi raftet e bukës në dyqane mbetën bosh për të dytën ditë pasi anëtarët e Grupit të Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë nuk furnizonin me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, duke thënë se ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur dje gjobat e para për mosbindje ndaj vendimit.

Në 234 kontrolle të kryera nga inspektorët, janë konstatuar parregullsi në tri kompani nga Shkupi dhe një nga Kumanova që shisnin bukë me çmim më të lartë se 33 denarë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë ndaj këtyre kompanive.

“Gjatë kontrolleve janë bërë katër procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba mbi 300.000 denarë. Gjobat janë shumë të larta, janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë, madje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik. Janë konstatuar tri parregullsi në Shkup dhe një parregullsi në Kumanovë, gjegjësisht situatë ku buka nuk ka qenë me çmimin e ngrirë, përkatësisht ka qenë mbi 33 denarë”, thotë në një deklaratë për media Aleksandra Koteli nga IShT.

Inspektorati Shtetëror i Tregut dje ka bërë me dije se do të vazhdojë të kryejë kontrolle lidhur me respektimin e çmimit të ngrirë të bukës të miratuar me Vendim të Qeverisë. Po ashtu, thonë nga atje, është e nevojshme që të gjithë ne të respektojmë Vendimet e Qeverisë, sepse qëllimi parësor është që në kohë krize të shtypet profiteria dhe të qëndrojmë për solidaritet, pra të kemi mirëkuptim dhe t’iu dalim në përkrahje qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button