Prej 800 deri në 10.000 euro gjobë për tregtarët që nuk i respektojnë vendimet e Qeverisë për çmimin e bukës

Nëse inspektorët konstatojnë shkelje të vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë dhe për furnizim me bukë, shkelësit mund të gjobiten prej 800 euro deri në 10.000 euro. Me këtë porosi Inspektorati Shtetëror Tregtar apelojnë deri te të gjithë që të respektohen vendimet e qeverisë, për çka ata do të vazhdojnë kontrollet nëpër kompani, dyqane dhe markete, njofton Portalb.mk.

“Inspektorati Shtetëror Tregtar vazhdimisht është në terren me të gjitha resurset e saja dhe do të kryejë mbikëqyrje ku do të konstatojë se cila është sasia minimale e bukës që e përfshijnë vendimet e Qeverisë, e cila në bazë ditore patjetër duhet që të furnizohet dhe shitet nga ana e tregtarëve dhe do të kontrollohet dhe çmimi i shitjes deri në 33 denarë”, thuhet në njoftim.

Ata njoftojnë se për dy dytë janë kontrolluar 460 subjekte ekonomike, ndërkaq është vërejtur se çmimi i bukës lëvizë prej 25 deri në 33 denarë.

“Madje në disa vende kishte, kishte bukë me peshë më të madhe se sa parashikohet me vendimin e qeverisë dhe shitej për 33 denarë. Kryesisht respektohet vendimi qeveritar për çmimin e ngrirjes së bukës, por kishte edhe tregtarë të tillë që e kanë shkelur këtë vendim, për çka u janë shqiptuar gjoba në lartësi prej mbi 300.000 denarë”, njoftojnë nga Inspektorati.

Ndryshe, Grupacioni i Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë ka miratuar vendim që prej nesër të ndalojë me grevën dhe të fillojë të prodhojë dhe furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë sipas çmimit të ngrirë prej 33 denarësh.

Ndryshe, shumica e rrjeteve të marketeve më të mëdha prej ku furnizohen qytetarët, sot raftet e bukës me çmim 33 denarë i kishin të zbrazura. Qytetarët ankohen për vendimin johuman të kompanive të bukës, ndërkaq furnizohen nga furrat e vogla.

Në bisedë joformale me njërin prej menaxherëve të një marketi në Çair, na tregoi se ka komunikuar me dy prej kompanive më të mëdha të bukës që i furnizojnë ata dhe se kanë paralajmëruar se prej nesër do të furnizojnë.

“Kjo nuk mund të zgjatë shumë, pasi që kompanitë më të vogla gjithsesi po prodhojnë bukë dhe ata po ua marrin tregun kompanive të mëdha. Nuk është në rregull që ndaluan me furnizimin e bukës, patjetër duhet të ketë zgjidhje, nuk mund të shantazhohen qytetarët me bukën”, tha për Portalb.mk, menaxheri i cili dëshiroi të mbetet anonim.

Rikujtojmë se sot njoftoi Qeveria se ka miratuar vendim me të cilin i obligoiprodhuesit e bukës të mos e rrisin çmimin mbi 33 denarë.

Me vendimin përcaktohet detyrimi i tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për kryerjen e prodhimit të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose diku tjetër me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, që të marrin dhe/ose shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë të prerë në feta ose të plota.

Ky vendim i qeverisë vjen pasi raftet e bukës në dyqane mbetën bosh për të dytën ditë pasi anëtarët e Grupit të Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë nuk furnizonin me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, duke thënë se ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur dje gjobat e para për mosbindje ndaj vendimit.

Në 234 kontrolle të kryera nga inspektorët, janë konstatuar parregullsi në tri kompani nga Shkupi dhe një nga Kumanova që shisnin bukë me çmim më të lartë se 33 denarë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë ndaj këtyre kompanive.

“Gjatë kontrolleve janë bërë katër procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba mbi 300.000 denarë. Gjobat janë shumë të larta, janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë, madje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik. Janë konstatuar tri parregullsi në Shkup dhe një parregullsi në Kumanovë, gjegjësisht situatë ku buka nuk ka qenë me çmimin e ngrirë, përkatësisht ka qenë mbi 33 denarë”, thotë në një deklaratë për media Aleksandra Koteli nga IShT.

Inspektorati Shtetëror i Tregut dje ka bërë me dije se do të vazhdojë të kryejë kontrolle lidhur me respektimin e çmimit të ngrirë të bukës të miratuar me Vendim të Qeverisë. Po ashtu, thonë nga atje, është e nevojshme që të gjithë ne të respektojmë Vendimet e Qeverisë, sepse qëllimi parësor është që në kohë krize të shtypet profiteria dhe të qëndrojmë për solidaritet, pra të kemi mirëkuptim dhe t’iu dalim në përkrahje qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button