Fituesi i Çmimit Nobel të Paqes dënohet me 10 vjet burg
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski u dënua me 10 vite burg të premten nga një gjykatë në atdheun e tij Bjellorusi, ku u gjet fajtor për financimin e protestave, raporton VOA.
60-vjeçarit Bialiatski iu dha Çmimi Nobel në tetor për punën e tij në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Bjellorusi, ku ish-udhëheqësi i epokës sovjetike Alexander Lukashenko, një aleat i fortë i Rusisë, ka qeverisur me dorë të hekurt për gati 30 vjet, duke burgosur kundërshtarët, apo duke i detyruar ata të largohen.
Drejtuesja e Komitetit Novergjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, e quajti një tragjedi dënimin. “Ales Bialiatski është një ndër luftëtarët më të shquar për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut në Bjellorusi. Çështja gjyqësore dhe akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht”, tha zonja Reiss-Andersen.
Ministra e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e quajti procesin gjyqësor “një farsë”.
Drejtuesja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila është larguar nga vendi, e quajti vendimin si “revoltues”. Ajo u shpreh në Twitter se “duhet të bëjmë gjithçka për të luftuar kundër kësaj padrejtësie të paturpshme” dhe për lirimin e tij.
Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha gjatë një takimi në Gjenevë, se ky institucion i OKB-së është i shqetësuar nga gjyqi dhe për “mungesën e një procesi të paanshëm dhe mungesën e një gjyqësori të pavarur në Bjellorusi”.
Në pamjet filmike nga salla e ngarkuar e gjyqit në Minsk duket zoti Bialiatski, që bashkëthemeloi grupin e të drejtave të njeriut “Viasna” (“Pranvera”), me duart të lidhura pas shpinës, ndërsa ndjek pas hekurave procesin së bashku me të akuzuarit e tjerë.
Zoti Bialiatski, i cili u arrestua në vitin 2021 dhe tre persona të tjerë në të njejtin proces, u akuzuan për financimin e protestave dhe futjen ilegalisht të fondeve në vend. Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta konfirmoi se gjykata u dha dënime të gjata me burg të gjithë të akuzuarve, përfshirë një dekadë burgim për zotin Bialiatski. Ai i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, duke i quajtur ato të motivuara politikisht.