Pas rënies së sistemit të FSSh-së, në vend do të vijë një përfaqësues i NATO-s për sulmet kibernetike dhe hibride 

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas sulmit të hakerëve në sistemin e Fondit Shëndetësor, i cili nuk ishte rast i izoluar, paralajmëroi se në vend duhet të vijë ndihmës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sulme kibernetike dhe hibride, transmeton Portalb.mk.

“E diskutojmë terminin kur do të flasim për detajet e bashkëpunimit me selinë e NATO-s në Bruksel, por edhe me vendet anëtare të veçanta që janë më të avancuara në këtë fushë”, tha Kovaçevski.

Ai tha se është krijuar një organ i posaçëm për trajtimin e sulmeve hibride, i cili ka një gamë më të gjerë detyrash, nën juridiksionin e Byrosë së Sigurisë Publike. Në të marrin pjesë edhe ekspertë nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Inteligjencës, inteligjenca ushtarake dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Lidhur me sulmin kibernetik në sistemin e FSSh, Kovaçevski thotë se inxhinierin kryesor në FSSh do ta propozojë për një nga çmimet shtetërore, sepse problemin e ka zgjidhur shpejt, për vetëm 14 ditë.

“Fondi arriti të zgjidhë problemin e sulmit të hakerëve në 14 ditë, ndërsa një sulm i ngjashëm me intensitet të ngjashëm në botë zgjat mesatarisht 21 deri në 24 ditë. Është vërtetuar vlerësimi im se Filipovska-Grashkoska është zgjedhje e mirë për drejtoreshë të Fondit. Inxhinieri kryesor që punoi për këtë problem tani është në pushim mjekësor për shkak të rraskapitjes. Në një nga çmimet e radhës shtetërore që do të ndajë shteti, do të propozoj që ai të nderohet me çmim shtetëror në emër të të gjithë inxhinierëve kompjuterikë që aktualisht janë duke punuar për parandalimin e sulmeve kibernetike”, tha Kovaçevski.

Për sulmin e hakerëve ndaj sistemit në FSSh është hapur hetim. Drejtoresha Magdalena Filipovska-Grashkoska të mërkurën në konferencën për media refuzoi të përgjigjet në të gjitha pyetjet lidhur me sulmin kibernetik.

“Gjithçka është objekt hetimi”, ishte përgjigja e Filipovska-Grashkoska në pyetjen se a e dinin kush e kreu sulmin e hakerëve, a u ishte kërkuar shpërblim, a i ka paguar FSSh para dikujt që sistemi të funksionojë, nëse sulmi është kryer nga vendi ose nga një vend tjetër, etj.

Ajo u shpreh vetëm se të dhënat e të gjithë qytetarëve janë të sigurta, se nuk ka pasur rrjedhje dhe se sistemi është kthyer në funksion.

Përndryshe, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm që nga 7 shkurti, për dy javë të plota. FSSh më pas raportoi se ata kishin një problem teknik dhe mosfunksionim të një pjese të serverëve dhe se po punojnë për diagnostikimin dhe mënjanimin e problemit.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button