Familjarët e zyrtarëve bëhen gjykatës e prokurorë në Maqedoninë e Veriut

Të afërmit e shumë zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut do të caktohen gjykatës e prokurorë në ndonjë nga institucionet e drejtësisë në vend, raporton REL. Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve ka bërë të ditur listën me emrat e 58 personave që kanë mbaruar, sipas Akademisë, trajnimin dyvjeçar për angazhim në gjykatat dhe organet e ndjekjes penale.

Në mesin e tyre është edhe djali i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, bashkëshortja e Islam Abazit, prokurorit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, djali i Enver Bexhetit – gjykatësit në Gjykatën e Apelit, djali i prokurores Elizabeta Josifovskës, bashkëshortja e Timço Mucunskit, kryetarit të një komune të Shkupit, nipa e mbesa të zyrtarëve dhe shumë të tjerë.

Akademia është themeluar para 15 vjetëve dhe trajnon kuadrot për gjykatës e prokurorë duke pasur për bazë “avancimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, paanshmërinë e një gjyqësori të lartë profesional dhe efikas, i cili do të afirmojë parimin e sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

Pa një certifikatë nga kjo Akademi, nuk mund të bëhen emërimet në organet gjyqësore dhe të ndjekjes penale.

Por, dhënia e certifikatës personave në lidhje familjare me zyrtarë të lartë shtetërorë, ka nxitur reagime të shumta, në veçanti djalit të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe bashkëshortes së Islam Abazit, prokurorit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në rastin e Xhaferit janë evidentuar edhe shpërdorime tjera, si dhënia e provimit të jurisprudencës pas regjistrimit të tij në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë, apo edhe regjistrimi në studimet master pa i pasur 300 kreditë e nevojshme.

Të gjitha këto lëshime janë arsyetuar me një të drejtë që thuhet se ka pasur Ministria e Drejtësisë, në vitin 2015 kur i ka lëshuar atij vërtetimin se mund të jepte provimin e jurisprudencës, apo të regjistrohej në studimet për master pa i plotësuar kriteret e nevojshme.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit edhe më parë ka reaguar, në veçanti lidhur me të drejtën ekskluzive të ministrit të Drejtësisë për t’i mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës kuadrove jo të kualifikuara.

“Nuk duhet të ketë të drejtë diskrecioni. Në bazë të çfarë vendimi ai i jep dikujt të drejtë për të dhënë provimin e jurisprudencës?! Këtu kemi të bëjmë me keqpërdorim të pozitës. Ne duhet të kemi një sistem të rezistueshëm ndaj nepotizmit dhe korrupsionit që do t’i refuzojë ato në vetvete. Ndoshta ata fëmijë ia vlejnë, por ndoshta nuk ia vlejnë dhe e zënë vendin e atyre që ia vlejnë”, ka deklaruar Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit kundër Korrupsionit.

Lidhur me këtë ka reaguar opozita maqedonase, e cila ka akuzuar partitë në pushtet se po e mbushin gjyqësorin me fëmijët dhe bashkëshortët e tyre.

“Në asnjë shtet në Evropë nuk mund të gjesh ndonjë rast që burri të jetë kryeprokuror i Prokurorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe gruaja e tij prokurore publike. Si mund të besojnë qytetarët te drejtësia, kur drejtësinë do ta japin fëmijët dhe bashkëshortët e politikanëve që janë arsyeja e gjendjes në të cilën ndodhet shteti? Çfarë drejtësie mund të presë populli, kur drejtësia ka metastazuar nga nepotizmi? Duhen ndryshime rrënjësore dhe një sistem meritash, ku cilësia do të vlerësohet”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në një prononcim të mëhershëm për mediat kishte mohuar që ai të ketë ndikuar në ndonjë institucion për avancimin e djalit të tij.

“Një gjë e di në jetë, si bartës funksioni për asgjë nuk kam ndikuar në vendimet e asnjë institucioni”, pati deklaruar Xhaferi.

Darko Avramovski, njohës i çështjeve juridike, konsideron se “kjo që po ndodh në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut flet mbi nevojën për masa urgjente dhe reforma të domosdoshme”.

Ai thotë se ajo që ndodhi në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve, vazhdon më tej në Këshillin Gjyqësor, që bën shpërndarjen apo emërimin e kuadrove nëpër gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

“Këshilli Gjyqësor gjatë emërimeve jep njëfarë arsyetimi lidhur me emërimet, por nëse i shikojmë në thelb, ato janë sipërfaqësore, abstrakte, stereotipe… Nuk ka ndonjë arsyetimin mbi cilësinë dhe meritat e kandidatëve. Kjo është në kundërshtim me të gjitha deklarimet e zyrtarëve për shtet të së drejtës”, vlerëson Avramovski.

Përzgjedhja e familjarëve të zyrtarëve shtetërorë për gjykatës e prokurorë u bë në kohën kur besimi në gjyqësor po shënon rënie të vazhdueshme.

Sipas një ankete të realizuar nga Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë thënë se kanë besim në pushtetin gjyqësor, kurse në prokurori 3 për qind.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-të, lidhur me zgjedhjen e Islam Abazit, i afërt me BDI-në në krye të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, disa herë u është drejtuar politikanëve, opinionit dhe zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut me një mesazh të qartë se nuk duhet mbyllur sytë para korrupsionit.

Në fillim të dhjetorit, një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button