Bislimoski: Është i mundur kthimi i tarifës së lirë ditore të rrymës, por fillimisht të përfundojë sezoni i ngrohjes
Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimoski, duke komentuar sot paralajmërimet se mund të kthehet tarifa e lirë ditore e rrymës, tha se kjo është e mundur, por për këtë duhet të presin të përfundojë ky sezonë i ngrohjes, transmeton Portalb.mk.
“Fillimisht do të shohim si do të përfundojë ky sezonë i ngrohjes, të shohim prodhimin e EMV-së, të shohim si do të shkojë furnizimi i energjisë elektrike dhe më pas do të mendojnë për të gjitha opsionet e mundshme që i kemi”, tha ai.
Sipas tij, në periudhën prej tetorit të vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, prodhimi vendor i energjisë elektrike është në nivel të lakmueshëm.
“Për muajin janar 87 përqind e nevojave për energji elektrike në shtet janë siguruar nga kapacitetet vendore, ndërsa vetëm 13 përqind është importuar për të gjitha konsumatorët, jo vetëm për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, që është rezultat i mirë. Trendet pozitive vazhdojnë, janë ulur humbjet, ndërsa EMV mund të ketë të ardhura shtesë nga shitja e tepricave. Kështu që, kemi material të mirë për fillim të diskutimit për kthimin e rrymës së lirë ditore”, sqaroi Bislimoski.
Ndryshe, çmimi i energjisë elektrike nga 1 janari i vitit 2022 u rrit për 9,48 për qind kur edhe filloi masa për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e rrezikuara sociale.
- LEXO: Aplikoni deri në fund të muajit: Është rritur numri i amvisërive me të ardhura të ulëta në RMV që do t’iu subvencionohen faturat e rrymës
- LEXO: Bekteshi: Presim ulje të çmimit të rrymës nga korriku
- LEXO: Amvisëritë në RMV do të marrin prej 600 deri në 800 denarë për rrymë, aplikimet deri në shkurt