RMV, deputetët debatuan për shkarkimin e ministrit Aliti, vazhdimi i seancës u caktua për të hënën

Pasi dje në mbrëmje përfundoi debati për propozim – shkarkimin e ministrit aktual të Shëndetësisë, Bekim Sali, deputetët sot filluan debatin për shkarkimin e Admirim Alitit nga funksioni i ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, transmeton Portalb.mk.

Gjatë debatit, deputetët e VMRO – DPMNE-së kritikuan ministrin në fjalë, duke thënë se nuk ka punuar asgjë në resorin i cili përfshin digjitalizimin dhe avancimin e administratës publike, përpos faktit që vendosi vet për balancerin, me të cilin do të punësohen numër më i madh i shqiptarëve.

“Aliti vlerësoi se, në atë balancer duhet ta vendosë përqindjen edhe të shqiptarëve në diasporë dhe jo nga popullsia rezidente, apo 31,5 përqind në vend të 24,3 përqind sipas regjistrimit, që është e paligjishme dhe antikushtetuese. Ka sjell vet vendime, ndërsa LSDM e ka heshtur që të qëndrojë në pushtet”, tha deputeti Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.

Deputetët e opozitës pyetën po ashtu se, deri ku është strategjia për siguri kibernetike e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratë, duke potencuar edhe sulmin hakerik prej të cilit është ende i bllokuar Fondi për Sigurim Shëndetësor, si dhe për paralajmërimet e rrejshme për bomba të vendosurë në shkolla, që zgjasin katër muajt e fundit.

Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Igor Zdravkovski nga foltorja e Kuvendit, porositi se, kryeministri Kovaçevski duhet të bëjë ndryshime kadrovike edhe në arsim dhe ekonomi , por vlerëson se aty nuk mund të prej kryeministri, për shkak të partnerit të tij të koalicionit, Ali Ahmeti.

Në lidhje me këtë, replikoi deputetja e BDI-së, Fisnike Bekteshi – Shaqiri, e cili theksoi se, Ahmeti është shembull për lider sepse, siç tha, dëshiron t’i unifikojë të gjitha etnitetet në Maqedoni dhe së bashkë t’i bashkangjiten frontit evropian.

Debati për shkarkimin e Alitit përfundoi në orën 15 dhe, siç njoftoi zëvendëskryetari i Kuvendit, Goran Misovski, do të vazhdojë të hënën në orën 12.

Përkrah Bekim Salit dhe Admirim Alitit nga Alternativa, në rend dite të kësaj seance është edhe shkarkimi edhe i ministrit pa resorë për diasporë, Xhemail Çupi, po ashtu nga Alternativa.

Në listën për shkarkim është edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Përveç tyre, nga Qeveria po largohen edhe dy ministra dhe dy deputetë, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet, ndaj pardje Kuvendi vetëm i ka konfirmuar. Fjala është për ministrat e Drejtësisë Nikolla Tupançeski (LSDM) dhe i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini (BDI), si dhe zëvendësministrat e Drejtësisë Agim Nuhiu (BDI) dhe i Shëndetësisë Vladimir Rendevski (LSDM).

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë të rinj të qeverisë duhet të zgjidhen:

Krenar LLoga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë;
Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë;
Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës;
Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Tiron Jajaga (Aleanca) – Zëvendësministër i Mbrojtjes;
Vjollca Berisha (Aleanca) – Zëvendësministre e Bujqësisë;
Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – Zëvendësministre e Drejtësisë;
Maja Manoleva (LSDM) – Zëvendësministre e Shëndetësisë;
Agim Nuhiu (BDI) – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button