RDM me mbështetje për rikonstruimin e Qeverisë, por edhe me kushte që duhet të plotësohen në 100 ditët e para

Partia për Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë (RDM) do të mbështesë rikonstruimin e propozuar të Qeverisë. Ky vendim është marrë në seancën e sotme të Këshillit Qendror të Partisë së gjelbër, transmeton Portalb.mk.

Mbështetja, siç thonë nga RDM, është në interes të proceseve integruese evropiane të Maqedonisë.

“Kusht për mbështetjen e Qeverisë dhe shumicës parlamentare është që brenda 100 ditëve të para të nisë procesi i vetingut dhe të zbatohet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme me qëllim të luftës efektive kundër korrupsionit, vazhdimi i procedurës parlamentare për ndryshime në Kodin Zgjedhor për një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe 50 për qind të grave në lista dhe të intensifikohet përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë përmes krijimit të kooperativave energjetike, në mënyrë që qytetarët të bëhen prodhues të energjisë elektrike, si dhe ngritja e një Fond për eficiencë energjetike”, informojnë nga RDM.

RDM dha mbështetjen e saj një ditë pasi filloi debati në Kuvend për propozimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për shkarkimin e ministrave dhe zëvendësministrave nga Alternativa, të cilët deri më tani ishin pjesë e Qeverisë, por edhe për emërimin e të rinjve tashmë nga partneri i ri qeveritar, Aleanca për Shqiptarët.

Shumica qeveritare nga dje ka mbetur pa Lidhjen Demokratike të Pavle Trajanovit pasi në seancën e Kryesisë dhe Këshillit Qendror është marrë vendim që të mos përkrahet rindërtimi i Qeverisë dhe të largohet nga shumica parlamentare.

Vendimi për marrjen e këtij hapi, siç tha Trajanov, është dështim në përmbushjen e qëllimeve programore të përcaktuara dhe të dakorduara me LSDM-në para zgjedhjeve të vitit 2020.

Kujtojmë se të njëjtin vendim, largim nga Qeveria, dy ditë më parë mori edhe Alternativa, kjo si rezultat i hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e cila ngushtoi kolltukun e partisë Alternativa me të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë ishin në koalicion, i cili zgjati deri dhjetorin e vitit 2021 kur Alternativa vendosi nga opozita të kalojë në pozitë. Me ndryshimet e fundit në Qeveri, dy ministri të Alternativës pritet t’i kalojnë ASh-së.

Këtë vendim e bëri të ditur, i pari i partisë Afrim Gashi përmes konferencës për shtyp, ku tha se tani e tutje me tre deputetët e saj do vazhdojnë në opozitë, ndërkaq tha se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e Qeverisë.

“Ne sot kemi vendosur që Alternativa bashkë me tre deputetët dhe të gjithë strukturat tona, sot e tutje do të jetë parti opozitare. Megjithatë ne mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane”, tha dy ditë më parë Afrim Gashi.

Ndërkaq, nga tani e tutje do merren me partinë që në zgjedhjet e ardhëshme të dalin më të suksesshëm.

Kryeministri Dimitar Kovaçesvki tha dje se shumica qeveritare është stabile dhe e qëndrueshme dhe se rikonstruimi do të kalojë me votat e më shumë se 64 deputetëve.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua të enjten se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button