Gashi: Pres që të shkarkohet zëvendësministri i Kulturës Daim Luçi

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, mbrëmë në emisionin 200 në TV Alsat, ka bërë të ditur se nëse zëvendësministri i Kulturës Daim Luçi nuk shkarkohet, atëherë qëndrimi i tij në Qeveri do të thotë se ka njëfarë marrëveshjeje, trtansmeton Portalb.mk.

“Ne si parti duhet të vendosim se çfarë do të bëjmë me njerëzit që largohen dhe nuk respektojnë vendimet e partisë, sepse vendimi për t’u tërhequr nga Qeveria dhe për të shkuar në opozitë është miratuar unanimisht në Kuvendin Qendror. Do ta diskutojmë lëvizjen e tij në parti dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë sepse është shkelje e vendimit të partisë”, tha Gashi.

I pyetur nëse Daim Luçi është ende pjesë e Alternativës, Gashi dha përgjigje pozitive, por theksoi se nëse ka një marrëveshje të tillë, shkel Statutin e partisë.

Ai nuk pret që Luçi të japë dorëheqje, por të shkarkohet.

Gashi tha se bashkëpunimi me LSDM-në është çështje e mbyllur.

“Ata e mbyllën procesin dhe nuk patën guximin të na thonë se gjithçka ka përfunduar. Kishte ofertë qesharake ku kishte shumë pak pozita që ne si pozita jo vetëm që kishim arsye për të pasur pushtet, por ka qenë pjesë e marrëveshjes që ka qenë garanci për zbatimin e marrëveshjes së arritur”, tha Gashi.

Sipas tij, pyetja pse Alternativa nuk është më pjesë e Qeverisë, duhet t’i shtrohet kryeministrit dhe partive të tjera të koalicionit.

“Ne theksuam se është veçanërisht e rëndësishme për ne që të jemi besnikë ndaj marrëveshjes. Ne kemi hyrë në Qeveri në fund të vitit 2021 me një marrëveshje të publikuar dhe i kemi qëndruar besnik asaj marrëveshjeje dhe e gjithë rruga jonë politike në Qeveri gjatë vitit 2022 ka qenë e orientuar drejt realizimit të atyre pikave të marrëveshjes dhe në fund kryeministri ka vendosur që të ndryshojë drejtim dhe të zëvendësojë Alternativën me një partner tjetër”, tha kreu i Alternativës.

Gashi thotë se një veprim i tillë dërgon një mesazh të keq.

“Si do të dalë kjo matematikë do ta shohim në ditët në vijim në Kuvend. Megjithatë, mendoj se kemi dërguar një mesazh shumë të keq dhe pajtohem që me këto turbulenca që po bëjmë në skenën politike, të gjithë ne si elitë politike lëmë përshtypje shumë të keqe dhe vrasim shpresën e qytetarëve, të rinjve, dhe prandaj njerëzit po ikin nga vendi. Ne kemi krijuar një shtet ku askush nuk u qëndron parimeve”, tha Gashi.

Duke folur për ish-kolegun e tij partiak Skender Rexhepi-Zeid, Gashi thotë se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes qeverisëse.

“Në momentin kur kemi hyrë në Qeveri, edhe Kovaçevski edhe Zaev e kanë ditur se jemi duke biseduar me tre deputetë dhe një deputet ka bërë marrëveshje vetë me kryeministrin. Pra, ajo paketë dhe kjo kontratë është nënshkruar për tre deputetë. Ata e dinë shumë mirë”, shton Gashi.

Gashi është shprehur pesimist për procesin e ndryshimeve kushtetuese, duke shtuar se Kovaçevski dhe Ahmeti përveç vetëvrasjes politike që bënë, vranë edhe të ardhmen evropiane të shtetit. Ai shtoi se do të mbështesë ndryshimet kushtetuese nëse amendamenti i tyre për të luftuar korrupsionin pranohet.

Kujtojmë se Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button