Seanca e Kuvendit të RMV-së për shkarkimin e ministrave të Alternativës do të vazhdojë në orën 23

Seanca e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilën po debatohet për rikonstruimin qeveritar do të vazhdojë në orën 23, me kërkesë të koordinatorit të LSDM-së Jovan Mitrevski, njofton Portalb.

Deputeti Mitrevski nga foltorja tha se VMRO-DPMNE-ja me sukses po koalicionon me Të Majtën, por nuk mund të dakordohen se çfarë duhet të bëjnë dhe për këtë arsye kërkoi pauzë.

Deputetët e Kuvendi të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas pauzës vazhdoi me punë në orën 21:30, pas kërkesës së koordinatorit të grupit të deputëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.

“Për shkak se po përfundojmë me diskutimin për replikat dhe kemi edhe një, dy diskutantë dhe vazhdim të seancës për propozimin e dytë për shkarkim, në bazë të nenit 81 paragrafi 2 kërkojë pauzë prej një ore që deputetët e shumicës të munden të vijnë dhe të na bindin se cila është arsyeja për shkarkimin. Do të ketë numër të madh dikustimesh, do të flasim dhe dëshirojmë të vijnë ata të cilët nuk janë këtu gjatë gjithë ditës, ndërsa kërkojnë të punojë Kuvendi, janë lënë pesë deputetë të mbajnë kujdestari në emër të grupit të deputetëve”, tha Micevski.

Pas shkarkimit të ministrave, duhet të vijojë diskutimi për shkarkimin e tre zëvendësministrave, pas së cilës do të duhet të deklarohen për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të qeverisë.

Në seancën e 13 shkurtit, kryeministri dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, vlerësoi se rikonstruimi me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar do të sjellë energji të re, por edhe do t’i japë fund manipulimeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne kemi nevojë për një shumicë të qëndrueshme që do të mundësojë zhvillim dhe progres të shpejtë, që do të na mundësojë zhbllokimin e ligjeve të rëndësishme për qytetarët pa pasur nevojë të presim që opozita të vendosë nëse qytetarët dhe e ardhmja e tyre janë më të rëndësishme se interesat e tyre ditore politike. Sot po flasim për bashkim në çështjen evropiane, ku VMRO-DPMNE përgjithmonë mbetet e izoluar dhe kundër interesave shtetërore”, shtoi Kovaçevski.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së, nga ana tjetër, rindërtimin e tillë e kanë vlerësuar si korrupsion politik dhe prostitucion

“Cila është poenta të shkohet në zgjedhje, nëse të gjithjë duan duan të shkojnë në Qeveri, cila është poenta të keshë oponent dhe demokraci nëse të gjithë duan të hyjnë në Qeveri dhe, në fund, cila është poenta Aleanca të luftojë BDI-në në zgjedhje nëse në fund duan që të dy të jenë në të njëjtën qeveri. Kjo nuk është tjetër përveç korrupsion dhe prostitucion politik nga ata që u kanë mbushur gojën këto ditë se do të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Si kur hyjnë në një qeveri që është deri tani më e korruptuara?“, tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së dhe deputeti, Aleksnadar Nikoloski, duke pyetur nëse çmimi për hyrjen e Aleancës në Qeveri është një shtëpi në lagjen Taftalixhe në Shkup, të cilën lideri i partisë Arben Taravari e bleu për 500 euro për metër katror.

Partneri i deritanishëm i qeverisë Alternativa, e cila vendosi të kalojë në opozitë, nga ana tjetër, akuzoi LSDM-në për prishje të marrëveshjes dhe kujtoi se ishin deputetët e kësaj partie ata që e shpëtuan pushtetin nga rënia e vitit të kaluar.

Përveç Alternativës, në opozitë po kalon edhe Lidhja demokratike, e cila në Kuvend përfaqësohet vetëm nga një deputet – Pavle Trajanov.

Sipas rikonstruksionit të propozuar nga Kovaçevski, duhet të shkarkohen ministrat e shëndetësisë – Bekim Sali, për shoqëri informative dhe administratë – Admirim Aliti dhe ministri pa resor përgjegjës për diasporën Xhemail Çupi, si dhe zëvendësit për bujqësi – Abdulshyqyr Abedini dhe për arsim dhe shkencë – Lulzim Aliu. Të gjithë janë kuadro të Alternativës.

Siç thanë partia, ata vetë nuk kanë dhënë dorëheqje sepse nuk kanë përgjegjësi dhe nuk duan t’ia lehtësojnë punën Kovaçevskit.

Në listën për shkarkim është edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Përveç tyre, nga Qeveria po largohen edhe dy ministra dhe dy deputetë, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet, ndaj pardje Kuvendi vetëm i ka konfirmuar. Fjala është për ministrat e Drejtësisë Nikolla Tupançeski (LSDM) dhe i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini (BDI), si dhe zëvendësministrat e Drejtësisë Agim Nuhiu (BDI) dhe i Shëndetësisë Vladimir Rendevski (LSDM).

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë të rinj të qeverisë duhet të zgjidhen:

Krenar LLoga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë;
Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë;
Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës;
Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Tiron Jajaga (Aleanca) – Zëvendësministër i Mbrojtjes;
Vjollca Berisha (Aleanca) – Zëvendësministre e Bujqësisë;
Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – Zëvendësministre e Drejtësisë;
Maja Manoleva (LSDM) – Zëvendësministre e Shëndetësisë;
Agim Nuhiu (BDI) – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button