Reagoi ministri Sali pas deklaratës së Kovaçevskit: A duhet të vazhdojë mandati i personit i cili nuk e miratoi kërkesën për ilaçe?

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka vlerësuar që nuk është fajtor në lidhje me vdekjen e pacientit Bllagojçe Ilievski, duke theksuar që Qeveria ka humbur shumë kohë në bisedimet për koalicion, derisa pacientët pritnin, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se është e papërgjegjshme ta zhvendosim përgjegjësinë. Nëse do të donim të garonim me deklarata politike, unë poashtu do të mund të përgjigjesha me pyetje: ai i cili, përkundër kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka miratuar mjete për ilaç për pacientë me një sëmundje të tillë të rëndë, a vlerëson se mund ta vazhdojë mandatin?”, deklaroi Sali.

Ai theksoi që sigurimi i mjeteve dhe furnizimi i terapisë, nuk janë kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, duke vlerësuar që kjo është kompetencë e Fondit Shëndetësorë dhe klinikës përkatëse, të cilat nuk mund të veprojnë pa urdhër të Qeverisë ose kryeministrit.

“(1) Është fakt se Ministria e Shëndetësisë, që prej 27.01 ka kërkuar nga Qeveria të sigurojë mjete për furnizim të ri me terapinë për pacientët me fibrozë cistike. (2) Është fakt se përkundër kërkesës nga MSh-ja, as Qeveria e RMV-së, as personalisht kryeministri, deri dje nuk kanë vendosur që t’i sigurojnë ato mjete. (3) Është fakt se nuk ka terapi të mjaftueshme për shkak se nuk u soll ai vendim nga të tjerët, dhe jo për shkak të MSh-së”, deklaroi ministri.

Ai ka shpreh ngushëllime deri te të afërmit e të ndjerit, ndërkohë ka kërkuar mos të zhvendoset përgjegjësia për këtë rast.

“Do të mund të pyesim edhe nëse ndoshta shumë kohë dhe vëmendje është harxhuar për bisedimet e koalicionit, derisa pacientët prisnin. Megjithatë, vlerësoj se deklaratat e tilla populiste janë të papërshtatshme në raste të tilla”, deklaroi Sali.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, sot kanë reaguar në lidhje me vdekjen e një pacienti me fibrozë cistike, duke pritur që shteti ta sigurojë ilaçin “Trikafta”, njofton Portalb.mk.

Kovaçevski deklaroi sot në mëngjes se ka biseduar me ministrin Sali dhe e ka lutur që të mendojë nëse mund ta vazhdojë mandatin e tij dhe theksoi se vdekja e Bllagojçe Ilievskit është shumë e hershme, ndërkaq është mundur që të bëhet më shumë që t’ia vazhdojnë jetën.

Në ndërkohë, sot disa qytetarë janë mbledhur para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të shprehur revoltën e tyre për mosreagimin e shpejtë të institucioneve, gjegjësisht mosblerjen në kohë të ilaçit, për të cilin pati nevojë Bllagojçe dhe shumë pacientë të tjerë.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore njoftuan se do të jenë në komunikim të vazhdueshëm të ndërsjellë me prodhuesin në lidhje me prokurimin e barit “trikafta” për pacientët me fibrozë cistike.

Mirëpo, pacientët deklaruan se sëmundja e tyre nuk pret ndryshime ligjore dhe dolën në protestë para qeverisë për të shprehur revoltën e tyre.

Përmes protestës u kërkua që në klinikat e pulmologjisë dhe për sëmundje të fëmijëve të krijohen kushte për mjekim të pacientëve sipas protokolleve për kurim të kësaj gjendjeje, me formim të ekipeve profesionale dhe kushte adekuate dhe të standardizuara për hospitalizim. Organizatorët e protestës bënë thirrje që Fondi për sigurim Shëndetësor të sigurojë vegla ndihmëse mjkësore, që janë të domosdoshme për çdo pacient në terapinë e përditshme, si inhalues me shkallë të lartë difuzioni sipas rekomandimit të mjekut specialist dhe Pep/Flater për terapi fizikale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button