Pas vdekjes së pacientit me fibrozë cistike, Kovaçevski i ka thënë Salit të mendojë për dorëheqje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, sot kanë reaguar në lidhje me vdekjen e një pacienti me fibrozë cistike, duke pritur që shteti ta sigurojë ilaçin “Trikafta”, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski deklaroi sot në mëngjes se ka biseduar me ministrin Sali dhe e ka lutur që të mendojë nëse mund ta vazhdojë mandatin e tij dhe theksoi se vdekja e Bllagojçe Ilievskit është shumë e hershme, ndërkaq është mundur që të bëhet më shumë që t’ia vazhdojnë jetën.

“Pyetja është pse nuk e bëmë? Pse aq është zvarritur madje edhe pasi kemi premtuar, madje edhe pasi ekipet juridike dhe ekspertët u ulën në tavolinë për zgjidhje. Do ju them shumë hapur atë që çdokush prej jush e mendon po nuk ka mundësi ta thotë, ajo është për shkak të arsyeve të njëjta për çka shteti ynë pëson tridhjetë vjet nga burokracia. Burokracia që fillimisht mendon pse diçka nuk mund të bëhet, burokracia e cila thuajse asnjëherë nuk mendon pse diçka duhet të bëhet, burokracia e cila dukshëm nuk ka asgjë kundër të pret derisa qytetarët pësojnë, por burokracia nuk janë disa njërës nga planeti tjetër, burokracia jemi të gjithë ne dhe është koha që të përballemi me atë. Tani këtu para jush dua të ju them se në mëngjes bisedova me Salin dhe i thash që për mua kjo situatë është absolutisht e papranueshme, fola edhe me drejtorin e Fondit të Shëndetësisë dhe ministrin e Financave”, deklaroi kryeministri.

Pacient me fibrozë cistikie, Foto: Kabineti i presidentit
 Pacient me fibrozë cistikie i cili ndërroi jetë, Bllagojçe Ilievski. Foto: Kabineti i Presidentit

Ai tha se me iniciativë të tij, Bordi Drejtues i Fondit Shëndetësor sot ka mbajtur seancë për rialokimin e mjeteve buxhetore, ndërkaq janë angazhuar edhe MALMED menjëherë që ta regjistrojnë ilaçin derisa Byroja për Furnizime Publike ka për detyrë t’i sigurojë të gjitha dokumentet për import të këtij ilaçi që e prodhon një prodhues.

“Nuk mundet të presin në tenderë të pafund kur bëhet fjalë për ilaç i cili prodhohet nga një prodhues. Që kjo të zbatohet unë personalisht do të angazhohem pasi që nuk ka kohë për të pritur”, tha kryeministri.

Ai paralajmëroi se do të realizojë takim me Asociacionin për Fibrozë Cistike dhe do t’i njoftojë me masat konkrete që do të merren.

Nga ana tjetër, ministri Bekim Sali, vlerëson se Ministria e Shëndetësisë nuk është njëra prej institucioneve më përgjegjëse për rastin me Bllagojçe Ilievski. I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për shkak të rastit tragjik, Sali tha se nuk vlerëson se Ministria që ai e udhëheqë është institucioni më përgjegjës në këtë situatë, pasi që problemi i mungesës së terapisë për pacientët me fibrozë cistike nuk është në kohë i paraqitur në Qeveri, Ministrinë e Financave dhe Fondin e Shëndetësisë prej të cilëve është kërkuar mbështetje.

“Anëtarët e Asociacionit për Fibrozë Cistike me të cilët jam në komunikim e dinë gatishmërinë time për zgjidhjen e atij problemi i cili për fat të keq është grumbulluar nga faktorë tjerë, dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë, duke e pasur parasysh se MSH nuk i blen barnat, por e organizon sistemin dhe juridikisht i mundëson të gjitha lëvizjet, gjegjësisht dhënien e kompetencës së institucioneve me të cilat mund të disponojnë dhe si të organizohen”, tha Sali.

Ai plotësoi se sot janë siguruar mjete buxhetore për ilaçin “Trikafta” për tetë pacientë me fibrozë cistike, gjendja e të cilëve është më e rëndë.

“Sot janë siguruar mjete buxhetore për furnizimin e ilaçit “Trikafta”. Bëhet fjalë për mjete buxhetore të dedikuara për Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, gjegjësisht plotësisht 140.000.000 denarë’, kumtoi në FB Sali.

Në ndërkohë, sot disa qytetarë janë mbledhur para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të shprehur revoltën e tyre për mosreagimin e shpejtë të institucioneve, gjegjësisht mosblerjen në kohë të ilaçit, për të cilin pati nevojë Bllagojçe dhe shumë pacientë të tjerë.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore njoftuan se do të jenë në komunikim të vazhdueshëm të ndërsjellë me prodhuesin në lidhje me prokurimin e barit “trikafta” për pacientët me fibrozë cistike.

Mirëpo, pacientët deklaruan se sëmundja e tyre nuk pret ndryshime ligjore dhe dolën në protestë para qeverisë për të shprehur revoltën e tyre.

Përmes protestës u kërkua që në klinikat e pulmologjisë dhe për sëmundje të fëmijëve të krijohen kushte për mjekim të pacientëve sipas protokolleve për kurim të kësaj gjendjeje, me formim të ekipeve profesionale dhe kushte adekuate dhe të standardizuara për hospitalizim. Organizatorët e protestës bënë thirrje që Fondi për sigurim Shëndetësor të sigurojë vegla ndihmëse mjkësore, që janë të domosdoshme për çdo pacient në terapinë e përditshme, si inhalues me shkallë të lartë difuzioni sipas rekomandimit të mjekut specialist dhe Pep/Flater për terapi fizikale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button