Të krishterët ortodoksë sot festojnë Buzmin, partitë me thirrje që të mos ndizen zjarre
Besimtarët krishterë ortodoks në Maqedoni sot festojnë Buzmin, një ditë para festës së madhe Lindjen e Krishtit – Krishtlindjet, transmeton Portalb.mk.
Buzmi tradiconalisht do të shënohet me tubim para Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup.
Manifestimi, zakonisht, fillon me himnin dhe me ngritjen e flamurit të buzmit.
Pason shenjtërimi i degëve të buzmit, naforës, rakisë së nxehtë dhe çajit nga klerikët e Katedrales.
Kisha Ortodokse e Maqedonisë së Veriut, eko-aktivistë dhe disa parti politike bënë thirrje që sonte të mos ndizen zjarre për festën e Buzmit me qëllim që të mbrohet mjedisi jetësor dhe ajri i ambientit i cili ditëve të fundit është shumë i ndotur.
Kisha Ortodokse bëri thirrje që këtë të mos ndizen zjarre, të mos luhet muzikë me zë të lartë si dhe të mos konsumohet alkool nëpër tubime.
Sipas eko-aktivistëve, shëndeti është më i rëndësishëm se tradita, andaj apeluan që të evitohet ndizja e zjarreve.
Nga ana tjetër, edhe VMRO-Partia Popullore u bëri thirrje qytetarëve të Shkupit që të bojkotojnë ndezjen e zjarreve.
Kujtojmë që ditëve të fundit në të gjithë vendin ajri është shumë i ndotur.
Familjet ortodokse për Buzmin mblidhen në darkë të përbashkët dhe sipas traditës këtë natë nuk shkohet në mysafirë. Bëhet tryezë e pasur kreshmore. Nikoqirët përpiqen të ofrojnë pak nga të gjitha asortimentet që t’u pasurohet tryeza gjatë tërë vitit. Gatuhet kulaç, ndërsa në disa vende bëhen lakrorë në të cilat futet monedhë. Besohet se ai tek i cili do të bjerë monedha do ta ndjekë fati gjatë tërë vitit. Para fillimit të darkës në të cilën mblidhen të gjithë, nikoqiri e bekon tryezën, e thyen kulaçin, ndërsa diku e ndan lakrorin, në aq pjesë sa ka anëtarë të familjes, duke lënë një pjesë për Zotin dhe një për shtëpinë.
Gjithashtu, natën e festës në zjarr vendoset një degë buzmi i cili llogaritet si dru i shëndetshëm, që të jenë me shëndet të gjithë në familje.