NTP vitin e ardhshëm do të marrë 12 milionë euro subvencione nga qyteti i Shkupit

Ndërmarrja për transport publik “Shkupi” vitin e ardhshëm do të marrë 12 milionë euro subvencione nga Qyteti i Shkupit që të funksionojë normalisht. Në buxhetin për vitin 2023 janë paraparë 130 milionë denarë ose 2,1 milionë euro për transport falas të pensionistëve dhe studentëve, 550 milionë denarë apo 8,9 milionë euro për punë normale dhe një milionë euro për sistemin inteligjent të faturimit, transmeton Portalb.mk.

“Sipas rekomandimeve të Shoqatës ndërkombëtare për transport rrugor (IRU), si dhe Asociacionit ndërkombëtar për transport publik (UITP), Këshilli i Qytetit të Shkupit filloi të subvencionojë Ndërmarrjen e Transportit Publik që në vitin 2008. Në periudhën e kaluar, çmimi i naftës, që është burimi bazë energjetik dhe kostoja më e madhe materiale e kompanisë, është rritur në mënyrë drastike, gjë që ka rritur edhe më tej kostot dhe ka rrezikuar funksionimin normal të NTP-së. Për tejkalimin e situatave të tilla dhe përmirësimin e cilësisë së transportit publik në hapësirën më të gjerë të qytetit të Shkupit janë dhënë subvencione”, thuhet në sqarimin e vendimit të propozuar nga kryetarja Danela Arsovska.

Në vendim nuk janë paraparë para për subvencionimin dhe realizimin e premtimit të Arsovskës për transport falas për të gjithë qytetarët.

Transporti me autobus për qytetarët në Shkup, për disa javë ka qenë në krizë dhe i bllokuar. Qeveria do të thërrasë takim me transportuesit privat, Ndërmarrjen Qarkulluese Publike dhe Qytetin e Shkupit që të informohet se për çfarë problemi po bëhet fjalë.

Shoferët e “Slloboda Prevozit” dhe “Makekspresit” më 13 dhjetor vendosën t’i largojnë autobusët që ishin të parkuar në bulevardin “Ilinden”, para Qytetit të Shkupit, pasi kryeministri Kovaçevski deklaroi se nuk do t’i pranojë transportuesit privat në takim derisa nuk i largojnë autobusët e bllokuar.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button