Qeveria javën e ardhshme do të thërrasë takim me transportuesit privat, NQP-në dhe Qytetin e Shkupit

Qeveria javën e ardhshme do të thërrasë takim me transportuesit privat, Ndërmarrjen Qarkulluese Publike dhe Qytetin e Shkupit që të informohet se për çfarë problemi po bëhet fjalë, raporton MIA.

Këtë sot e bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në të cilën u prezantua Buxheti i ri i Ministrisë për vitin 2023.

“Javën e ardhshme do të mbledhim informacione, që të informohemi për çfarë problemi bëhet fjalë dhe të thirren të tri palët. Kudo që mund të ndihmojë Qeveria, në cilëndo komunë, pa dallim se nga cila parti politike vjen kryetari, ne e kemi obligim ta bëjmë këtë në kuadër të mundësive dhe kompetencave që ka Qeveria. Pres që të ketë një takim të tillë dhe në të të informohemi  për çfarë problemi bëhet fjalë, sepse për momentin nuk e dimë”, tha Kovaçevski.

Ndërkaq,  siç theksoi, Qeveria nuk ka kompetencë në organizimin e transportit publik në qytetin e Shkupit.

“Nuk ekziston asnjë mënyrë dhe kompetencë që shteti të mund të  marrë pjesë. Krahas faktit që këtu bëhet fjalë për marrëdhënie afariste ndërmjet transportuesve privat dhe ndërmarrjes qarkulluese publike që është nën kompetencë të  qytetit”, tha Kovaçevski.

Kryeministri i komentoi edhe përplasjet e djeshme mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Jemi dëshmitarë edhe të një konfirmimi tjetër për atë si funksionon Qyteti i Shkupit pas asaj që dëgjuam dje në media si kryetarja e zgjedhur nga radhët  e VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së komunikojnë mes vete. Kjo mënyrë e komunikimit dhe kjo mënyrë e marrëdhënies tregon vetëm pse 11 vjet  shteti ynë ishte i bllokuar, pse në të gjitha rangimet e institucioneve të pavarura botërore për renditje të demokracisë  në shtetet u vlerësua si një shtet i robëruar dhe e njëjta gjë me të njëjtët njerëz u vërtetua në  Qytetin e Shkupit për vetëm një vit me shantazhe, kërcënime me fjalët më poshtëruese mes tyre”, tha Kovaçevski

Ndryshe, shoferët e “Slloboda Prevozit” dhe “Makekspresit” më 13 dhjetor vendosën t’i largojnë autobusët që ishin të parkuar në bulevardin “Ilinden”, para Qytetit të Shkupit, pasi kryeministri Kovaçevski deklaroi se nuk do t’i pranojë transportuesit privat në takim derisa nuk i largojnë autobusët e bllokuar.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button