Liqenet akumulues gjysmë të zbrazët, hidrocentralet prodhojnë energji elektrike më pak se kapaciteti i tyre

Akumulimet artificiale nëpër vendin tonë janë gjysmë të zbrazur, e niveli i tyre është nën mesataren disavjeçare për këtë periudhë të vitit, e për këtë arsye edhe prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet në pronësi të Sh.A. ESM është më i ulët nga kapaciteti i tyre i përgjithshëm i instaluar. Prodhimi i rrymës nga hidrocentralet e vendit në kushte të krizës energjetike do të jetë me rëndësi në periudhën vijuese, kur do të rritet shpenzimi i energjisë elektrike në periudhën e dimrit, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike bazohet së pari tek termocentralet që përdorin pajisje të vjetra me dekada, shkruan Meta.mk.

Meta.mk parashtroi pyetje deri te Sh.A. ESM mbi atë se sa është niveli i ujit nëpër akumulimet artificiale (Glloboçicë, Liqeni i Mavrovës, Liqeni i Dibrës, Kozjak, Sveta Petka dhe Liqeni i Tikveshit), me çka morëm informacion nga kompania shtetërore se hidrocentralet këtë vit deri tani e kanë tejkaluar prodhimin e planifikuar të rrymës, por nga ana tjetër niveli nëpër akumulime është nën mesataren disavjeçare të nivelit të ujit.

“Niveli momental i akumulimeve është 20 përqind e kuotave maksimale, që është goxha më e lartë në krahasim me vitin 2020 dhe 2021, kur ishin rreth 7 përqind, por më të ulëta në krahasim me vitin 2019 kur ishin 25 përqind, 2018 kur ishin 51 përqind edhe nga mesatarja disavjeçare që gjithashtu është rreth 44 përqind e kuotave maksimale për këtë periudhë të vitit”, informojnë nga Sh.A. ESM.

10 nëntor nga Sh.A. ESM i morëm të dhënat se prodhimi i deriatëhershëm i rrymës nëpër hidrocentrale ka qenë 790 MW/h energji elektrike, që paraqet 103,3 përqind të prodhimit të planifikuar të hidrocentraleve deri në këtë moment dhe paraqet 25,4 përqind të prodhimit të përgjithshëm të Sh.A. ESM.

Kompania shtetërore planifikon që deri në fund të vitit 2022 nga hidrocentralet të prodhojë 950 GW/h energji elektrike. Këto rezultate janë më të larta se Plani për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet për vitin 2022, i cili është i publikuar për këtë vit në ueb-faqen e MEPSO-s dhe i cili parasheh që deri në fund të këtij viti të fitohen 879 GW/h energji elektrike.

Megjithatë, nga të dhënat e marra nga ueb-faqja e Sh.A. ESM mund të shihet se potenciali i hidrocentraleve të ndërtuar nëpër pellgjet e lumenjve Vardar dhe Drini i Zi janë vlerësuar me prodhim të përgjithshëm vjetor të rrymës prej 1.471 GW/h energji elektrike, që është më pak se prodhimi vjetor i planifikuar prej 950 GW/h.

Ndaj pyetjes se çfarë sasie të energjisë elektrike mund të prodhojnë hidrocentralet në këtë moment në bazë të nivelit aktual të akumulimeve artificiale, gjegjësisht sa është fuqia e angazhuar e hidrocentraleve për momentin kundrejt fuqisë së tyre të përgjithshme, nga Sh.A. ESM thonë:

“Prodhimi mesatar ditor është rreth 2 GW/h, më së shpeshti përdoret kur shpenzimi i energjisë është më i madh, si dhe për balancim të sistemit, e kjo është rreth 15 përqind nga sasia e përgjithshme e energjisë elektrike që mund ta prodhojnë”.

This slideshow requires JavaScript.

Meta.mk për një periudhë më të gjatë se një muaj, në tre raste realizoi fotografi të një pjese të akumulimeve artificiale në vend. Më 24 dhjetor të këtij viti e fotografuam Liqenin e Dibrës, nga të cilat fotografi mund të shihet se akumulimi është i zbrazur, gjegjësisht në vend të liqenit, nën Urën e mellnikut në rrugën MavrovëDibër rrjedh lumi Radika.15 tetor e fotografuam edhe shtratin e zbrazur të liqenit Kozjak, ndërsa kah fundi i tetorit e fotografuam edhe shtratin e zbrazur të Glloboçicës.

Për shkak të krizës energjetike dhe çmimeve enorme për importin e energjisë elektrike nga jashtë vendit, Sh.A. ESM këtë vit përballet me nevojë të rritur të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e vendit.

Procesverbalin e seancës së 83-të të Qeverisë së RMV-së të mbajtur më 20 shtator të këtij viti gjendet edhe informacion për shkurtimin e periudhës së ujitjes nga akumulimi i Tikveshit deri më 15.9.2022.

“Qeveria duke e pasur parasysh gjendjen e krizës të shpallur në pjesën e energjetikës, konkludoi që t’i rekomandojë Shoqërisë Aksionare Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në pronësi shtetërore, Shkup, që ujin nga akumulimi 22 Tikvesh ta shfrytëzojë në mënyrë racionale për ujitje deri në fund të vitit, ndërsa resurset të shfrytëzohen për prodhimin e energjisë elektrike”, shënohet në Procesverbalin e kësaj seance qeveritare.

Përndryshe, ndikimin më të madh mbi prodhimin e energjisë elektrikë nga hidrocentralet e kanë pikërisht reshjet në vend, për të cilat Meta.mk tashmë shkruante se edhe pse në vitet e fundit ka sasi të rritur të reshjeve në territorin e Maqedonisë, përsëri për shkak të ndryshimeve klimatike paraqiten periudha më të gjata gjatë vitit pa reshje të cilat sjellin periudha thatësire, pas të cilave vijojnë ditë me reshje me sasi të mëdha të shtresimit të ujit që mund të shkaktojë vërshime ose dëme të tjera.

Shembulli më drastik në të kaluarën kur hidrocentralet ishin të padobishme për sistemin ishte gjendja para dy vitesh, kur ishte e domosdoshme që përkohësisht të ndërpritet prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet. Në fillim të nëntorit të vitit 2020, Qeveria e RMV-së e mori këtë vendim për shkak të mbrojtjes së ambientit jetësor dhe biodiversitetit nëpër akumulimet në vend. Nivelet e atëhershme të ujit nëpër akumulime prapë se prapë ishin shumë më të ulëta se të dhënat aktuale me të cilat disponon Sh.A. ESM.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 përqind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.

Kursimi i rrymës nga institucionet, qytetarët dhe kompanitë është me rëndësi kyçe për shkak të akumulimeve gjysmë të zbrazura të hidrocentraleve dhe mundësive të kufizuara për prodhim të rrymës, në periudhën vijuese po aktualizohet nevoja për respektimin e 29 rekomandimeve për kursimin e energjisë elektrike për amvisëritë, që i shpalli Qeveria më 16 gusht të këtij viti, së bashku me 12 rekomandimet për kursim të shpallura për komunitetin afarist.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button