Qeveria ia ka marrë licencën për kultivim të kanabisit kompanisë së kushërinjve të Zaevit, nuk dihen arsyet

I është marrë leja për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore kompanisë “Farma Medika Kanabis”, e cila sipas raportimeve të mediave, është në pronësi të kushërinjve të ish kryeministrit Zoran Zaev, shkruan Faktor, transmeton Portalb.mk.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 22 tetor. Ende nuk është publikuar në ueb-faqen e Qeverisë si pikë e rendit të ditës, por është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut’.

Licenca për “Farmma Medika Kanabis” për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore është lëshuar nga Qeveria në vitin 2018.

“Me këtë vendim ndalon të vlejë vendimi për dhënie të pajtueshmërisë së vendimit për dhënie të miratimit për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore për Shoqërinë për prodhim dhe treti Farma Medika Kanabis DOO Vallandovë 2. Ky vendim hyn në fuqi ditën e ardhshme nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në publikimin e Gazetës Zyrtare.

Ndryshe, sipas një hulumtimit të emisionit “TopStory” të televizionit Top Channel në vitin 2019, në industrinë e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore, është e përfshirë edhe familja e kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev. Kushëriri i tij, Trajçe Zaev, sipas hulumtimit, është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri.

Nga ana tjetër, ligji për eksportimin e kanabisit për qëllime mjekësore është bllokuar. Ligji parashikon formim të fondit special prej të cilit qytetarët duhet të kenë përfitime në sfera të ndryshme, por edhe formim të Agjencisë për Kontroll të Kultivimit dhe ekstraktimit të Kanabisit.

Qeveria me flamur evropian e ka dërguar propozim-ligjin në Kuvend, por i njëjti ende s’është miratuar, pavarësisht se kultivuesit e kanabisit për qëllime mjekësore disa herë kanë bërë thirrje për miratim.

VMRO-DPMNE paraprakisht ka paralajmëruar se do ta bllokojë Kuvendin, nëse ligji për droga narkotike do të kalojë në kuvend me flamur evropian.

“Licencat për kanabis të cilat janë dhënë në vitet e kaluara, janë licenca për përpunim të vajit nga kanabisi dhe prodhimit final për qëllime mjekësore, por jo edhe për eksport në formë të lules së thatë të kanabisit, ashtu siç parashikon zgjidhja ligjore. Më mesin e licencave është edhe ajo e familjes Zaev. Është sekret publik se licencat për kultivim të kanabisit jepen për 300 deri në 500 mijë euro, para të cilat dyshojmë se mbarojnë në xhepin e familjes Zaev”, ka deklaruar në korrik të vitit 2021 deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button