Edhe paraqitjet e sotme për bomba në nëntë shkollat e mesme të Shkupit janë të rrejshme
Sikur dje, edhe paraqitjet e sotme për vendosje të bombës në nëntë shkolla të mesme të Shkupit janë të rrejshme, kumtojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Prej atje thonë se janë bërë të gjitha kontrollohet e nevojshme në lidhje me porositë që sot shkollat i kanë marrë në e-mail me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e lëndëve eksplozive dhe është konstatuar se bëhet fjalë për paraqitje të rrejshme, njofton Portalb.mk.
“Menjëherë pas marrjes së paraqitjeve, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa për evakuim të sigurt të shkollave, ndërkaq më pas janë bërë edhe kontrolle të detajuara nga ekipet për kontrolle antiterroriste dhe është konstatuar se bëhet fjalë për paraqitje të rrejshme”, thonë nga MPB.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, paraprakisht ka deklaruar se vijojnë hetimet për raportimet për bomba në shkollat e mesme të Shkupit dhe se kanë informacionet fillestare nga ku janë dërguar emailet.
I pyetur për sanksionet ndaj autorëve, ministri ritheksoi se duke pasur parasysh faktin se është të paktën një akt monstruoz, me të cilin u abuzuan shkollat, duke pasur parasysh ankthin e fëmijëve, prindërve dhe qytetarëve në përgjithësi dënimet duhet të jenë më të rrepta.
Dje, të gjitha raportimet për bomba në tetë shkolla në Shkup janë konstatuar të rreme, pasi janë kryer kontrollet antiterroriste në të gjitha shkollat, te të cilat është dërguar kërcënim për bomba të supozuara.
Fillimisht, raportime të tilla në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë raportuar nga pesë shkolla të mesme në kryeqytet: “Rade Jovçevski Korçagin”, “Orce Nikolov”, “Nikola Karev”, “Josip Broz Tito” dhe ASUC “Boro Petrushevski”.
Më pas mbërritën denoncime shtesë për tre shkolla të tjera.