Grupi punues i Qeverisë së RMV-së: Kanabisi të mund të kultivohet në shtëpi, kurse preparate të përshkruajnë edhe mjekët privatë

Mjekët e shëndetësisë publike dhe private të mund të përshkruajnë preparate të kanabisit, por edhe të lejojnë që pacienti që ka marrë rekomandim për trajtim, vetë ta kultivojë dhe përdorë kanabisin në një formë që sipas gjendjes së tij shëndetësore më së shumti i përshtatet. Kjo është konstatuar në mbledhjen e parë të mbrëmshme të Grupit punues të qeverisë për përgatitjen e ndryshimeve në legjislacionin për dekriminalizimin, legalizimin dhe përdorimin e përfitimeve mjekësore, sociale dhe ekonomike të kanabisit, transmeton Portalb.mk.

Në mbledhje, gjithashtu u soll konkluzion se nevojitet që të zgjerohet lista e degëve të specializuara në të cilat kanabisi mund të rekomandohet si ilaç, i cili duhet të rregullohet sa më parë nga rregulloret në fushën e barnave.

“Grupi u formua pasi u pa nevoja për koordinim të disa proceseve dhe iniciativave të propozuara nga shoqatat profesionale dhe organizatat e shoqërisë civile”, informuan nga qeveria.

Ata shtojnë se iniciativa për përgatitjen e draft ndryshimeve ligjore dhe ndryshimeve në zgjidhjet ligjore është ngritur nga  sektori civil, institucionet dhe sektori i biznesit, me qëllim që të sigurohet depenalizimi dhe dekriminalizimi i përdorimit të kanabisit për nevoja personale, por edhe të hapet diskutim për mundësitë e legalizimit.

“Në kushtet tona, kjo nënkupton ndryshime dhe plotësime në Kodin penal, Ligjin për kundërvajtje, Ligjin për kontrollin e drograve narkotike dhe substancave psikotrope dhe Ligjin mbi kundërvajtjet kundër rendit publik dhe qetësisë”, njoftojnë nga Qeveria.

U njoftua që grupi i punës do të ndërmarrë iniciativa për informimin dhe edukimin e publikut të gjerë për të gjitha aspektet e përdorimit të bimës së kanabisit dhe do të sigurojë proces konsultimi plotësisht përfshirës me të gjitha palët e interesuara.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtësisë, asaj të Brendshme, kabinetit të Kryeministrit, shoqatave të toksikologëve, pediatërve, onkologëve, Kuvendi Studentor i Fakultetit të Farmacisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, HOPS- Opsionepër jetë të shpndetëshme Shkup, Koalicioni Margini dhe shoqata të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button