RMV, nuk ka ligj të ri për digjitalizimin e librave, nxënësit vazhdojnë të mësojnë nga librat e shtypur

Nuk ka risi në procesin e digjitalizimit të arsimit në Maqedoninë e Veriut. Nxënësit do të vazhdojnë të mësojnë sipas formës tradicionale të mësimit, me libra të printuara apo të shtypura. Mbetet dhe opsioni vullnetar, nëse dëshirojnë ata mund të mësojnë nga librat elektronik. Edhe pse premtoi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligj të ri për Libra dhe Materiale tjera Didaktike për Shkolla Fillore dhe të Mesme, pasi e tërhoqi ligjin në janar të vitit 2021 për shkak të vërejtjeve në publik për synimin e digjitalizimit të librave nga klasa e katërt dhe heqjen nga përdorimi i librave të shtypur, njofton Portalb.mk.

Kanë kaluar afër 10 muaj që kur Qeveria e ka tërhequr nga Kuvendi propozim-ligjin për libra digjital, ndërkaq MASH-i nuk ka përgatitur formë të re të ligjit, ashtu siç kishte premtuar. Aktualisht leximi nga librat digjital mbetet opsional për nxënësit, ashtu siç ka qenë deri më tani, gjegjësisht përveç që do të marrin libra në formë të shtypur, ata do të mund t’i gjejnë librat edhe në formë elektronike në “e-ucebnici”.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka hapur konkursin për botimin e teksteve shkollore në arsimin fillor nëntëvjeçar. Afati për dorëzimin e teksteve është deri më 11 maj, ndërkaq një prej kushteve që kërkohet është që përveç formës së shtypur, librat të jenë të qasshme edhe në formën elektronike.

“Konkursi për librat e rinj për klasën e parë, dytë, katërt dhe pestë, për të cilat në fakt janë përpunuar programe të reja mësimore është publikuar në linkun vijues: https://mon.gov.mk/content/?id=4640. Afati për dorëzimin e aplikacioneve është deri më 11.05.2022. Librat dorëzohen në formë të shtypur dhe elektronike, kështu që ata që do të zgjedhen shtypen, a njëkohësisht bëhen edhe publikisht të qasshme në format digjital”, informojnë nga MASH për Portalb.mk.

Përpjekja dhe dështimi i propozim-ligjit për libra digjital

Ministria e Arsimit dhe Shkencës prej gushtit të vitit 2020 deri në dhjetor 2021 u udhëhoq nga Mila Carovska, e cila mes tjerash e kishte prioritet ndryshimin e konceptit të arsimit dhe digjitalizimin e librave shkollor, e cila njëkohësisht nënkuptonte heqjen nga përdorimi i librave të printuar apo shtypur.

“Digjitalizimi nuk është trend, është domosdoshmëri. Jo vetëm sepse qasja në materiale është më të lehtë, por edhe sepse përmbajtja, e cila mund të vendoset në një libër shkollor digjital, është shumë më moderne, më interesante dhe më ngacmuese për të nxitur interesimin e nxënësve. Bota e tyre është pajisje digjitale, ata janë vazhdimisht të ekspozuar në animacione, por kjo gjë ai nuk mund të vendoset në libra të shtypur shkollor, deklaroi Carovska25 prill 2021.

Me muaj të tërë, gjithandej u bë fushatë mediatike, vizita e shpalosje të planit deri në detaje se prej shtatorit të vitit 2021, nxënësit prej klasës së katërt në Maqedoninë e Veriut do të fillojnë të mësojnë me librat të digjitalizuar dhe për këtë Ministria e Arsimit, madje dorëzoi në Kuvend edhe një propozim-ligj i cili pastaj u tërhoq pas vërejtjeve në opinion, por premtoi se i njëjti do të rikthehet, pasi të merren mendimet e të gjithëve. Madje, për këtë plan MASH furnizoi edhe 10.000 kompjuterëve tablet për nxënësit e klasave të katërta nga familjet me rrezik social, që të mund t`i përdorin tekstet shkollore digjitale të reja.

Në opinion u përhapën debate dhe polemika. Në Facebook u hap një grup me emrin “Libra dhe mësim patjetër të ketë” i cili kishte asokohe afër 80.000 anëtarë të cilët ishin kundër këtij propozim ligji. Nëpërmjet këtij grupi u organizua edhe bojkoti i mësimit. Partitë akuzuan njëra tjetrën se kush i kujt është dhe kush kë po e mbron.

Kur Qeveria në korrik të vitit 2021 e tërhoqi ligjin, grupi i Facebookut, këtë gjest e përjetoi si fitore.

“Sot kemi treguar dhe dëshmuar se si qytetarë mund të marrim pjesë në vendosjen për gjëra të rëndësishme për ne, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Sot ne kemi dëshmuar se ne dimë, mundemi dhe guxojmë si qytetarë të zakonshëm të veprojmë dhe t’i mbrojmë të drejtat tona dhe të drejtat e fëmijëve tanë. Sot ne kemi dëshmuar se mund të marrim pjesë nga afër dhe larg në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë. Sot festojmë, nesër vazhdojmë”, thanë nga grupi “Libra dhe mësim patjetër duhet të ketë”.

Në një linjë me ta ishin edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE të cilët vlerësuan se kjo nuk është digjitalizim dhe sipas tyre nuk ka asnjë shembull të tillë në botën e civilizuar.

Humbja e zgjedhjeve lokale të partisë në pushtet, bëri që ministrja e pushtetit qendror të japë dorëheqje. Milla Carovska, e cila udhëhiqte me këtë resor, me premtime për reforma të mëdha, madje dhe strategjike, e la postin ministror, pasi që partia e saj nuk i fitoi komunat.

Në vend të saj u emërua, Jeton Shaqiri, i cili erdhi nga pozita e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, resor i cili është bartës i procesit të digjitalizimit në vend. Në shkurt të vitit 2022, Shaqiri ka bërë të ditur se digjitalizimi i filluar i teksteve në arsim do të jetë një proces që do të realizohet për pesë vjet.

“Ofrohen tekste digjitale për nxënësit nga klasa e katër e tutje. Duhet të merren në konsideratë disa aspekte. E para do të jetë përmbajtja, gjegjësisht do të duhet të shqyrtohet nëse përmbajtja e programit dhe teksteve shkollore është e kënaqshme në zbatimin e deritanishëm, por nga ana tjetër nuk duhet të neglizhohet digjitalizimi. Me këtë dinamikë, digjitalizimi i teksteve shkollore do të realizohet për pesë vjet”, ka deklaruar Shaqiri.

Më 23 mars të këtij viti Shaqiri, theksoi se versioni i librave të shtypur, sipas ligjit ekzistues, është i domosdoshëm.

“Versioni i printuar i teksteve sipas Ligjit ekzistues për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm është i domosdoshëm në mësimdhënie, por nuk e përjashton rëndësinë e formës digjitale”, deklarojnë nga Ministria.

Sot që flasim, mësimdhënësit janë në grevë, jo për digjitalizimin e librave, por sepse nuk u janë rritur rrogat në mënyrë lineare pas rritjes së rrogës minimale në vend në 18.000 denarë.

Pandemia e cila na kujtoi për rëndësinë e digjitalizimit është nga fundi, i kemi hedhur maskat dhe nuk ka më masa anti-kovid, nxënësit dhe mësimdhënësit më nuk mësojnë nga shtëpia, online.

Propozim-ligji që u tërhoq:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button