MASh: Ndryshimi që sjell cilësi në arsim, nuk guxon të jetë arsye për bojkotimin e mësimit nga nxënësit
Ligji i ri për tekstet shkollore dhe materiale të tjera mësimore dhe didaktike është zgjidhje moderne e bazuar në standardet globale arsimore dhe do të përmirësojë ndjeshëm mësimdhënien, ndërveprimin midis mësuesve dhe nxënësve, do të zvogëlojë vëllimin e detyrave të shtëpisë dhe punës së prindërve dhe kujdestarëve me nxënësit dhe do të sjellë përmirësim në cilësinë e përgjithshme të sistemit kombëtar arsimor . Ky ndryshim nuk guxon të jetë arsye për bojkotimin e mësimit, thonë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përcjellë Portalb.mk.
“Pas publikimit të informacionit në disa media se nxënësit e disa shkollave të mesme po organizohen sot që të bojkotojnë mësimin, Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bën thirrje atyre dhe familjeve të tyre që të vazhdojnë të marrin pjesë në procesin arsimor, i cili duhet të jetë shqetësimi dhe interesi i vetëm i tyre. Në të kundërtën, mungesa në orë dhe mësim do të thotë kohë dhe dituri e humbur që më tej është vështirë të kompensohet. Bojkoti i mësimit do të thotë rezistencë ndaj ndryshimeve që janë krijuar në përputhje me kohën dhe epokën e teknologjisë IT në të cilën jetojnë të rinjtë”, thuhet në deklaratën e MASh-it.
Në deklaratë tutje thuhet se është në interes të të gjitha gjeneratave të tanishme dhe të ardhshëm nxënësve që sistemi arsimor kombëtar i Maqedonisë të zhvillohet, të përparojë dhe të ecë në hap me trendet dhe proceset në botën moderne arsimore, duke përfshirë digjitalizimin e materialeve mësimore, të cilat në vendin tonë , si ndryshim, do të ndodhë në etapa dhe në këtë moment nuk prek fare nxënësit e shkollave të mesme.
“Njëkohësisht theksojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme në të gjithë këtë proces të ndiqni të gjitha informacionet zyrtare dhe përgjigjet e pyetjeve dhe dilemave në lidhje me Ligjin për tekstet, të cilat i jep në mënyrë transparente dhe në bazë ditore Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet e tjera që marrin pjesë në krijimin e ndryshimit. Të gjitha burimet e tjera nuk janë relevante, ndërsa shumë shpesh informacioni që vendoset, veçanërisht në mediat sociale, ka një karakter manipulues dhe synon të provokojë reagime nga nxënësit dhe familjet e tyre”, shtojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Kreu i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai, për MMS tha se nuk organizojnë asnjë bojkot të mësimit dhe se organizimi u përket grupeve të caktuara që manipulojnë publikun.
“Unioni i nxënësve të shkollave të mesme nuk ka marrë një vendim të tillë. Për bojkotin në disa shkolla në mëngjes mësuam nga ju, mediat. Me siguri se përdoret për manipulimin e nxënësve dhe poena politike”, tha Hodai.
Përndryshe digjitalizmi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai edhe pse nuk kanë organizuar bojkot, ditë më parë u shpreh se nuk janë kundër digjitalizimit, por se është një proces i vështirë për vendin tonë, që e pamë gjatë pandemisë dhe mësimit onlajn. Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.
- LEXO: MASh-i sqaron dilemat kryesore në lidhje me tekstet digjitale
- LEXO: RMV, nuk jemi kundër digjitalizimit të teksteve, por kjo nuk guxon të jetë postulat por alternativë, sqarojnë nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme
- LEXO: RMV, Ministria e Arsimit: Është dezinformatë se digjitalizimi ka për qëllim ta zëvendësojë mësimin në shkollë me mësim online
- LEXO: Carovska: Digjitalizimi i librave shkollorë nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve