Zaev nuk ka pranuar ende propozim – ligjin për nënshtetësi, Aziri: Ne kemi përfunduar punën tonë, vijon pjesa administrative e Kuvendit

Pas paralajmërimeve të koalicionit ASH – AAA se sot do të dorëzohet versioni i përpunuar i Ligjit për nënshtetësi, kryeministri Zoran Zaev deklaroi sot se ai personalisht ende nuk e ka pranuar propozimin e ri të Ligjit për nënshtetësi, shkruan Portalb.mk.

“Tek unë ende nuk është dorëzuar, mund të jetë dorëzuar tek ministri i Punëve të Brendshme. Pyesni ministrin e Punëve të Brendshme ose koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, deklaroi Zaev.

Ndërkohë, deputeti i koalicionit ASH – AAA, Elmi Aziri deklaroi për Portalb.mk se ata e kanë kryer punën e tyre si parti, ndërsa tash vijojnë punët administrative të Kuvendit.

“Ne si parti e kemi kryer punën tonë dhe ka mbetur pjesa administrative që nuk është në dorën tonë, shërbimet e Kuvendit si përkthimi për shembull. Tash varet prej atyre kur ta bëjnë gati, ne punën tonë si parti e kemi kryer. Tash mbetet procedura e shërbimeve”, deklaroi Aziri.

Ai të premten paralajmëroi se, pjesa e tyre rreth ligjit për nënshtetësi ka përfunduar, kanë mbetur vetëm disa intervenime teknike dhe të hënën do ta dorëzojnë. Ai po ashtu, deklaroi se, gjatë kësaj jave është e mundur që të mbahet takim i liderëve të ASH dhe AAA, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi me kryeministrin Zoran Zaev.

Në takimin e tretë të kryeministrit Zoran Zaev dhe opozitës shqiptare palët kanë arritur marrëveshje sa i përket ligjit të nënshtetësisë. Në deklaratën e dhënë për media pas takimit, Zaev nuk ka ndarë me gazetarët detajet por tha se, beson se kanë arritur marrëveshje dhe atë që sot e kanë dakorduar do ta vendosin në letër, pasi brenda ka edhe formulime juridike, që të mund ta shqyrtojnë se është ajo që kanë diskutuar në të vërtetë. Në takim u vendos që propozuesit ta përpunojmë propozim ligjin, t’ia na dorëzojnë pushtetit ekzekutiv për ta shqyrtuar dhe për ta konfirmuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button