Pas arrestimit, Maqedonia e Veriut kërkoi nga Kosova ekstradimin e Afrim Ismailoviqit
Autoritetet maqedonase kërkojnë nga Prishtina ekstradimin e Afrim Ismailoviqit, njërit nga të dënuarit me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, raporton REL. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Afrim Ismajloviq është ndaluar nga Policia e Kosovës të premten pas një aksidenti trafiku në lagjen Hajvali të Prishtinës.
Sektori për bashkëpunim policor ndërkombëtar i MPB-së është informuar nga policia e Kosovës për ndalimin e Afrim Ismailoviqit, kundër të cilit ishte shpallur arrest ndërkombëtar. Policia maqedonase është në pritje të ekstradimit të tij pas skadimit të ndalimit prej 48 orësh.
Ndryshe, Policia e Kosovës pardje ka arrestuar Afrim Ismailoviqin, një nga të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”, ndërsa sipas autoriteteve maqedonase në Kosovë ndodhet edhe Alil Demiri, një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”.
Më 23 shkurt, Gjykata Penale e Shkupit miratoi aktgjykim, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.
Dje qytetarët e revoltuar me aktgjykimin për rastin “Monstra” dhe “rastet tjera të montuara” marshuan në mënyrë paqësore prej parkut të Çairit deri para ndërtesës së Qeverisë. Protestuesit kërkuan “drejtësi evropiane” dhe i bënë thirrje Qeverisë që të krijojë komision qeveritar i cili do të merrej me “rastet e montuara”.