Procedurë dhe paraburgim edhe për një person “për pjesëmarrje në turmë të dhunshme” në protestat për “Monstrën”

Prokuroria Publike ka ngritur procedurë kundër një personi për veprën penale – pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale në përputhje me nenin 385 paragrafi 2 nga Kodi Penal, transmeton Portalb.mk. 

“I dyshuar 19 vjeçar nga fshati Stajkovcë, më 26 shkurt, gjatë kohës së një tubimi publik të qytetarëve, së bashku me qytetarë të tjerë të identifikuar dhe të paidentifikuar, kanë filluar të veprojnë ndaj kordonit policor në bulevardin Krste Petkov Misirkov, duke hedhur me gurë, pllaka bekatoni, shufra metalike dhe lëndë të tjera. Gjatë kësaj janë lënduar 11 nëpunës policor dhe një gazetar. I dyshuari në protesta ka marrë pjesë i maskuar, me qëllim që të mos zbulohet identiteti i tij”, thuhet në kumtesën e prokurorisë.

Më pas në kumtesë theksohet se, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatës të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale propozim për caktimin e masës së paraburgimit për personin e dyshuar, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë për përsëritjen e veprës. Gjykatësi ka pranuar propozimin e prokurorit dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 8 ditësh.

Paraprakisht, Prokuroria Publike e Shkupit ka dorëzuar akuzë deri te Gjykata Penale e Shkupit kundër shtatë personave për “dhunë” nda zyrtarëve policorë, gjatë protestës kundër aktgjykimit për rastin “Monstra” e cila është mbajtur më 26 shkurt në Shkup dhe të gjithëve u është shqiptuar masë paraburgimi. Tre të akuzuarit, Shaban Veseli, Behar Dalipi dhe Besar Kalisi në seancën gjyqësore të mbajtur më 19 mars e pranuan fajin për protestat “e dhunshme” kundër aktgjykimit për rastin “Monstra” e cila është mbajtur më 26 shkurt në Shkup, ndërkaq Gjykata Penale i dënoi me nga 1 vit burg efektiv.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button