“Monstra”, tre burgime të përjetshme, dy persona u dënuan me 15 vjet dhe 9 vjet: Protestë të premten

Gjykata Penale e Shkupit, miratoi aktgjykim, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin, të premten mbahen protesta në Shkup, raporton Portalb.mk.

Prokuroria kërkoi paraburgim për të dënuarit deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit, për shkak, sipas tyre, rrezikut për arratisje, ndërkaq Gjykata të njëjtën e pranoi, njofton Portalb.mk.

Mbrojtja nuk pajtohet me aktgjykimin e sotëm për “Monstrën”, pasi që sipas tyre, të akuzuarit janë të pafajshëm.

“Kur u shqiptua aktgjykimi i parë për këtë lëndë, thash se jemi larg nga sundimi i së drejtës, tani lirisht mund të them se jemi edhe më larg dhe dukshëm duhet pastrim edhe në gjyqësor edhe në prokurori. Supremja ishte taksativ dhe tha që fare nuk ka prova se këto janë kryerësit, a përveç asaj e patë se me të ashtuquajturën precizim të akuzës, çfarë padrejtësie po bëhet. Shkojmë më tej, ne si mbrojtje jemi të sigurt se do të arrijmë te drejtësia”, tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Avokati Asmir Alispahiq, tha se aktgjykimi i sotëm është marrëveshje mes prokurorisë dhe gjykatës dhe për këtë dëshmon fakti se ashtu siç kërkoi prokuroria, ashtu vendosi edhe gjykata.

“Të rikujtoj se prokurorët publik mu këto dënime i kërkuan. Për Haki Aziri mes nëntë dhe dhjetë, për Fejzi Azirin 15 dhe tre dënime me burg të përjetshëm. Kjo tregon se që nga fillimi, e deri në shqiptimin e aktgjykimit kanë pasur marrëveshje, dhe kështu është edhe për masën e paraburgimit. Është e paqartë që të kërkohet paraburgim për Haki Azirin kur ai e ka mbajtur gjysmën e burgun”, tha avokati Asmir Alispahiq.

Fejzi Aziri madje u bëri thirrje prokurorit shtetëror Lubomir Joveski dhe Vilma Ruskoskës që ta vizitojnë në burg që t’ua tregojë porositësit dhe organizatorët e vrasjes. ndërkombëtar.

“I ftoj që t’ua dorëzoj provat për porositësit e vrasjes, për organizatorët e vrasjes së këtij rasti, për ndihmësit me emër dhe mbiemër, dhe me dëshmi të sakta”, tha Aziri.

Familjarët e të dënuarve, paralajmëruan protesta për të premten.

Bedri Ajdari, vëllai i Fejzi Azirit, pas shqiptimit të aktgjykimit tha se ata do të luftojnë me të gjitha mjetet, pasi që aktgjykimi është miratuar pa prova dhe me porosi të prokurores Fatime Fetai.

“Nuk mund të ndikojë te gjykata, a u konstatua se Këshilli Gjykues miratoi vendim me porosi të prokurores Fatime Fetai. Unë nuk kam mjet tjetër, përveç që të paralajmëroj protesta. I ftoj krerët e shtetit të vijnë në protesta dhe të protestojnë, ashtu siç në protestuam, por jo ta heqim një garniturë dhe ta vendosim një tjetër, por ta rregullojmë sistemin juridik. Ajo nuk ndodhi. Kërkoj nga partitë politike, të cilët janë patericë e qeverisë, të distancohen nga ky vendim. Ky është një lloj i shpalljes së luftës, por në mënyrë indirekte. Ne do të luftojmë”, tha Ajdari, duke i ftuar deputetët e Lëvizjes BESA dhe Muhamed Zekirin nga LSDM që të japin dorëheqje dhe ta lëshojnë shumicën parlamentare.

Gjykatës i lëndës ka qenë Ognen Stavrev, zëvendës i tij Osman Shabani dhe 3 anëtarë tjerë të Këshillit Gjykues.

Ndonëse zyrtarisht Prokuroria tha se po precizohet aktakuza, ajo e rikualifikoi madje në seancën kur u thanë fjalët përfundimtare. Prokuroria si asnjëherë më parë në praktikën gjyqësore dha propozime, madje të precizuara, për dënimin e të akuzuarve.

Prokuroria kërkoi, për:

  • Haki Azirin: 9/10 vjet burg
  • Fejzi Azirin: 15 vjet burg
  • Agim Ismailloviq: Burgim të përjetshëm
  • Afrim Ismailloviq: Burgim të përjetshëm
  • Alil Demiri: Burgim të përjetshëm

Mbrojtja dhe të akuzuarit kategorikisht e mohuan përfshirjen e tyre në çfarëdo mënyre në këtë rast. Sipas tyre, rasti është i montuar nga vetë strukturat policore të shtetit. Për këtë, më 29 janar, pasi Prokuroria i dha fjalët përfundimtare, familjarët e të akuzuarve dhe mijëra qytetarë dolën në protestë në Shkup për të kërkuar që Gjykata të mos i pranojë pretendimet e Prokurorisë pasi që të njëjtat nuk janë të bazuara në prova.

Pretendimet e Prokurorisë shkaktuan sërish valë pakënaqësie në opinion, duke e pasur parasysh deklarimin e kryeministrit aktual Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave” për rastin “Monstra”. Por, ani tani ka ndërruar qëndrimin. Tani thotë se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë. Disa herë paralajmëroi se ka biseda të përgjuara apo “bomba”, por të njëjtat, pavarësisht premtimit, nuk i publikoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button