Të akuzuarit për “Monstrën” u deklaruan të pafajshëm, avokatët kritikuan Prokurorinë: Nuk i gjetët vrasësit e vërtetë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seancë gjyqësore maratonike për rastin “Monstra”, në të cilën pala mbrojtëse dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare. Avokat e cilësuan rast të montuar dhe nuk ka dëshmi për akuzën e Prokurorisë, ndërkaq të akuzuarit u pajtuan me avokatët dhe kërkuan lirimin e tyre për shkak se siç thanë ata, nuk janë kryerësit e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës e cila ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012-të, njofton Portalb.mk.

Fjalët përfundimtare të palës mbrojtëse, sot kryesisht janë qëndruar te rrëzimi i pretendimeve të prokurorisë. Në fjalimet e tyre, ata thanë se Prokuroria është joprofesionale, ndërkaq thanë se ata nuk kanë arritur t’i gjejnë vrasësit e vërtetë.

Avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi, i demantoi pretendimet e Prokurorisë e cila i akuzon 3 persona si kryerës të vrasjes, ndërkaq 2 të tjerë si ndihmës, si dhe dha shpjegimet e tij në lidhje me provat të cilat janë publikuar për këtë rast.

“Jemi thellë të bindur se bëhet fjalë për rast të montuar. Ish prokurorët special janë joserioz dhe ata janë që e turbullojnë ujin. Rasti “Monstra” është sinonim i rastit “Drajfus”, vetëm se rasti jonë ka pasoja më të mëdha pasi që janë të dënuar 6 persona. Jemi thellë të bindur se ky rast është i konstruuar”, tha Raufi.

Sipas Raufit, prokurorët kanë vetëm indicie të zbrazëta, por jo edhe prova.

“Se ky është rast i montuar nuk është konstatimi ynë, por atë e ka konstatuar raporti i Pribesë, a flitet edhe në raportin e Stejt Departaentit Amerikan. Për këtë dëshmon edhe lajmi i vrasjes së pesëfishtë nga ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila e shkeli prezumimin e pafajësisë”, tha Raufi.

Avokati gjithashtu tha se Prokuroria e mbështet akuzën e saj, në bazë të dëshmisë së Haki Azirit e cila nuk mund të merret si dëshmi, pasi që e njëjta është dhënë me dhunë dhe nuk ka vlerë të dëshmisë.

“Vrasja e pesëfishtë mbeti pa motiv. Nëse nuk është i konstruuar rasti, pse vetëm 3 ditë para skadimit të afatit për dorëzim të akuzës, e gjejnë Haki Azirin dhe i thonë nën trysni se çfarë të tregojnë në hetim dhe në fakt pas kësaj dorëzojnë akuzë. Me riprecizimin e akuzës, Prokuroria duhet të bëjë vetëm korrigjim, a ata bënë rikualifikim klasik për akuzën. Të ishin korrekt, duhej që të bënin akuzë të re dhe të lejojnë që mbrojtja të bëhet gati. Pas 9 viteve akuza për terrorizëm, dy personave u rikualifikohet vepra, pa prova për të njëjtat. Kjo nuk ka ndodhur në përvojën time shumëvjeçare në avokaturë”, tha Raufi.

Avokati gjithashtu përmendi edhe një pjesë të provave kontestuese, që Prokuroria i merr për bazë.

“Eksperti Robert Janevski, tha që monstrat e gjurmëve biologjike nuk i ka marrë vetë nga vendi i ngjarjes, por atij ia kanë sjellë vetëm për t’i analizuar”, tha Raufi,

Fejzi Aziri, ashtu sikur edhe avokati, gjithashtu dëshmoi se nuk u ka ndihmuar Alil Demirit dhe Agim Ismailloviqit që të arratisen.

“Kërkoj që të lirohen, pasi që nuk kam kurrfarë lidhje me rastin, e as që e i kam ndihmuar Demirin dhe Ismailloviqin që të arratisen”, deklaroi Aziri.

Avokati Asmir Alispahiq, foli për dëshminë e Haki Azirit të dhënë në stacionin policor në vitin 2012-të, e cila, pastaj në gjykatë është tërhequr pasi që, asokohe Aziri ka deklaruar se e ka dhënë me dhunë.

“Më 1 maj është arrestuar Haki Aziri, është dërguar në stacion policor dhe për 72 orë familja e tij s’ka ditur asgjë për fatin e tij. Edhe pse ka pasur të drejtë për avokat, atij nuk i është lejuar të ketë avokat. Nuk ka pasur të drejtë ta lajmërojë familjen e tij. Është keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht. Pasi e kanë kërcënuar me jetë për atë dhe familjen e tij, ai ka dhënë një deklaratë si dëshmitar i mbrojtur, të cilën e ka mohuar pastaj në gykatë pasi që e njëjta është marrë me dhunë”, tha Alispahiq.

Në lidhje me pretendimet e Prokurorisë që Haki Aziri atë ditë e ka pasur të fikur telefonin, pasi që ashtu e ka udhëzuar Alil Demiri, avokati tha që atë ditë Aziri nuk ka qenë në punë dhe telefonin e ka fikur që të mos e shqetësojnë.

Avokatet e Agim Ismailloviqit dhe Afrim Ismailloviqit i mohuan në tërësi akuzat, për të njëjtit, pasi që sipas tyre nuk ka kurrfarë fakti që e dëshmon që të njëjtit e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë.

“Prokuroria e ngre akuzën vetëm nga një deklaratë e Azirit, e cila më pas është tërhequr. Ajo s’ka asnjë provë për pretendimet e saja. Është më se e qartë se dëshmia e Azirit me presion nuk ka kurrfarë relevancë prove. Pastaj, flitet për një takim të organizuar në të cilën është planifikuar vrasja e të rinjve, Prokuroria nuk jep shpjegime se nuk ka kurrfarë marrëveshje për vrasje, pasi që nuk ka pasur takim të tillë, nuk tregon ku dhe kur ka ndodhur, si janë ndarë rolet?”, thanë avokatet.

Të gjithë të akuzuarit në seancën e sotme mohuan ta kenë kryer, apo të jenë të përzier në vrasjen e pesëfishtë dhe u pajtuan tërësisht me atë që kanë deklaruar avokatët.

“2 herë dënohem nga Prokuroria, ende pa shpallë vendim gjykata. Në vitin 2012-të u dënova shkaku i dëshmitarit E1, a sot Prokuroria në njëfarë mënyre s’e pranon këtë dëshmi. Sot prokuroria dëshiron të më dënojë vetëm për një deklaratë të Azirit që ka dhënë se e kam transferuar prej Hansanbegut deri në Topansko. Unë s’jam jurist, ashtu siç betoheni në drejtësinë tuaj edhe unë betohem, kam dy fëmijë dhe nëse do të dëshiroja që t’u ndodh kjo atyre, aq edhe tjerëve”, tha Agim Ismailloviq, duke mohuar çfarëdo lidhje me vrasjen, për të cilën e akuzon e Prokuroria dhe kërkon burgimin e tij të përjetshëm.

Familjarët e të vrarëve sot nuk morën pjesë në seancë, ndërkaq avokatët e tyre, deklaruan se e mbështesin në tërësi propozimin e Prokurorisë.

Gjatë ditës së sotme, rrethi i gjykatës, por edhe në disa pjesë tjera të Shkupit u “blinduan” nga forcat e shumta policore.

Gjykatësi Ognen Stavrev caktoi për më 23 shkurt, kur dhe do të shqiptohet aktgjykimi për rastin në fjalë.

Ndryshe, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, u bë shkak për riaktualizimin e protestave, pas atyre të të tensionuara të vitit 2014-të. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, tani ai thotë se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë.

Të revoltuar nga kërkesa e Prokurorisë, më 29 janar, nën moton “Drejtësi dhe liri”, familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, dhe disa mijëra qytetarë protestuan prej parkut të Çairit deri te Prokuroria në Shkup.

“Kërkojmë të shkarkohet prokurorja Fatime Fetai e cila e ka realizuar urdhrin e qarqeve politike dorës së zezë që operon nën hijen e institucioneve relevante në RMV. Këshilli Gjyqësor i rastit të mos e merr fare parasysh kërkesën e Prokurorisë. Kërkojmë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, BE dhe SHBA që të zbardhet ky rast dhe rastet tjera të montuara politike”, tha Ajdari duke shtuar se beson që herët a vonë të gjitha rastet e montuara politike do të zbardhen dhe drejtësia do të vjen në shesh.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, në gjykimin e parë janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button