Rasti “Monstra”, Supremja prej 25 nëntorit 2022 në pritje të mendimit nga Prokuroria

Lënda për rastin “Monstra” më 25 nëntor ka arritur në Gjykatën Supreme për shqyrtim, ndërkaq në po të njëjtën datë Supremja e ka dërguar për mendim në Prokurorinë Publike, e cila prej asaj kohe ende nuk e ka dorëzuar lëndën, shkruan Portalb.mk.

Kanë kaluar një muaj e gjysmë dhe Prokuroria Publike ende nuk ka dhënë mendim për shqyrtimin e rastit “Monstra” në Gjykatën Supreme, pasi që më 9 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit miratoi vendim me të cilin i hodhi poshtë ankesat e të akuzuarve dhe i miratoi dënimet e shkallës së parë.

“Lënda “Monstra” në Gjykatën Supreme të RMV-së ka arritur më 25.11.2022. Të njëjtën ditë është dërguar për mendim në Prokurorinë Publike Republikane. Mendimi dhe lënda nga Prokuroria, ende nuk janë dorëzuar në Gjykatën Supreme”, thonë nga Gjykata Supreme për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Prokuroria nuk tregon arsyet se përse deri tani ende nuk është dorëzuar mendimi dhe kur pritet të dorëzohet.

“Lënda për të cilën tregoni interes është dorëzuar eri te Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe menjëherë është shpërndarë te prokurori publik. Pasi prokurori publik detalisht t’i studiojë të gjitha gjetjet, do të dërgojë mendim për kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave. Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button