Dhoma Publike: Një vit pa aktakuza, aktivistët kanë dhënë afat deri më 8 mars, në të kundërtën do të protestojnë

Platforma për barazi gjinore, e cila organizoi protestat kundër skandalit- “Dhoma Publike”, kujtoi sot prokurorinë për detyrimin e saj që në kohë dhe mënyrë efikase të ndjekë penalisht të gjithë anëtarët e grupeve, të cilët përhapnin pornografi dhe foto eksplicite të grave dhe vajzave, njofton Portalb.mk.

Në një konferencë për media para Prokurorisë Publike, aktivistët kërkuan që shteti të tregojë rezultate konkrete në mbrojtjen e viktimave dhe t’i ndjekë penalisht të gjithë autorët e dhunës mbi baza gjinore dhe ngacmimet seksuale.

“Prandaj, z. Ljubomir Joveski – Prokuror Publik dhe Aco Kolevski – Kryetar i Këshillit të Prokurorëve, ju kujtojmë për detyrimin e ndjekjes penale të kryerësve të kësaj vepre në kohë dhe në mënyrë efikafe sipas Kodit Penal. Përgjigja e institucioneve konfirmoi pretendimet tona se prokuroria nuk mbron sa duhet viktimat e dhunës me bazë gjinore. Procedurat nuk kryhen mjaft profesionalisht. Asnjë masë për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna nuk do të ketë efektin e dëshiruar nëse autorët nuk ndiqen penalisht dhe shmangin përgjegjësinë. Në këtë mënyrë, dërgohet një mesazh që dhuna ndaj grave nuk është e ndëshkueshme dhe dhunuesit inkurajohen të vazhdojnë sjelljen e tyre,” tha Jana Kocevska nga Platforma për barazi gjinore.

Aktivistët theksuan se çështja – “Dhoma Publike”, edhe pas një viti, nuk ka epilog dhe autorët e krimeve dyshohen vetëm për veprën penale – prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve.

Ata kërkuan ndjekjen penale të anëtarëve të tjerë të grupeve dhe drejtësi dhe mbrojtje edhe të viktimave të rritur.

“Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk i përdor kompetencat e tij për të kontrolluar punën e prokurorëve. Gjatë viteve kemi qenë dëshmitarë të sjelljeve joprofesionale nga zyrtarët e policisë. Nga ju presim që të merrni masa për mbrojtjen efektive të viktimave të dhunës përmes kryerjes në kohë të procedimeve penale, duke pasur parasysh që dhuna ndaj grave nuk është një problem personal, por përgjegjësia juaj. Ne kërkojmë ndjekje penale për viktimat e rritura në këtë çështje, jo vetëm për pornografinë e fëmijëve. Kërkojmë akuza për keqpërdorim të të dhënave personale, ndërmjetësim në prostitucion, rrezikim të sigurisë ose përhapje të materialit racist dhe ksenofob përmes një sistemi kompjuterik, në varësi të rrethanave të rastit”, tha Kocevska.

Nga Platforma për barazi gjinore kujtojnë afatin deri më 8 mars, të cilin ata ia dhanë shtetit që të tregojë rezultate në mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe ngacmimit seksual. Në të kundërtën ata thanë se do të dalin në mardh tjetër protestues për “zgjimin” e institucioneve.

“Ne nuk do të ndalemi së adresuari këtë çështje, do të vazhdojmë të protestojmë,” i thanë aktivistët.

Për rastin me grupet në të cilat përhapen fotografi të të miturve dhe të dhëna personale të grave dhe vajzave, dy shtetas të Shkupit, të moshës 21 dhe 32 vjeç, janë arrestuar kohët e fundit.

Ata dyshohen për grupin “Dhoma Publike”, i cili u shfaq në dhjetor 2019 – një çështje që është ende nën hetim dhe deri më tani nuk ka asnjë aktakuzë. Prokuroria kërkoi paraburgim për shkak të dyshimit për veprën penale  prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve, e cila dënohet me burgim deri në 8 vjet.

Për grupin e dytë për të cilin opinioni mësoi këtë vit, Ministria e Brendshme arrestoi katër persona, telefonat dhe laptopët e të cilëve ishin dhënë për ekspertizë, ndërsa sipas burimeve nga hetimi, te disa prej tyre është gjetur edhe pornografi për fëmijë. Ministria e Brendshme thotë se të gjitha materialet nga ekspertiza janë dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

Prokuroria më parë tregoi se janë akoma duke kompletuar lëndën për rastin e parë me “Dhomën Publike”, për të cilën dy persona janë në paraburgim, pas së cilës  prokurorja publik do të sjellë vendim. Çështja e dytë, nga ana tjetër, është në fazën parahetuese.

Ndërkohë, grupe të tilla si “Dhoma Publike” janë akoma aktive në platformën Telegram, ku mijëra anëtarë vazhdojnë të ndajnë fotografi eksplicite dhe informacione personale të grave dhe të miturve që paraqiten si punëtore seksi.

Nga Ministria e Brendshme thonë se po ndjekin disa grupe të tilla , por që nuk ka bashkëpunim nga ana e “Telegramit” për t’u bllokuar.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button