Qëndrimi i Prokurorisë në lidhje me deklaratën e Azirit se i di autorët e “Monstrës”

Fejzi Aziri, të cilin dje Gjykata Penale e Shkupit e shpalli fajtorë për dy vepra penale për ndihmë të Alil Demirit dhe Afrim Ismailloviqit që të arratisen në Kosovë dhe e dënoi me 15 vjet burg, gjatë seancës ku u shqiptua aktgjykimi tha se i di me emër dhe mbiemër, porositësit, kryerësit dhe ndihmësit e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, e cila ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012 dhe i dha afat 10 ditë Prokurorisë që ta vizitojnë ose ta ftojnë, njofton Portalb.mk.

Pas shqiptimit të aktgjykimit, Aziri e mori fjalën dhe i ftoi prokurorët që ta vizitojnë në burgun e Shutkës ose ta ftojnë në Prokurori që të dëshmojë, pasi që ka prova precize për autorët, siç tha ai me emër dhe mbiemër.

“E ftoj prokurorin shtetëror Lubomir Joveski dhe prokuroren Villma Ruskoska, të më vizitojnë në burgun e Shutkës që t’u tregojë prova për porositësit e vrasjes, organizatorët dhe ndihmësit, me emër dhe mbiemër dhe prova precize. Në afat prej 10 ditëve nëse nuk më ftojmë, ose vizitojnë, do t’i shpërndajë me opinionin dhe ambasadat e huaja”, tha Aziri.

Portalb.mk sot komunikoi me Prokurorinë për ta pyetur nëse do ta vizitojnë ose ftojnë që t’i dorëzojë provat të cilat pohoi se i ka Aziri, ndërkaq ata thanë se ai ka pasur mundësi gjatë hetimit, por edhe gjykimit t’i tregojë këto prova që ai thotë se i ka, por gjithsesi atë mund ta bëjë në çfarëdo momenti në procedurë përkatëse.

“Personi i dënuar ka pasur mundësi gjatë tërë hetimit, por edhe gjatë gjykimit i cili ishte publik, të dorëzojë informata, prova në të cilat thirret, a të cilat thotë, janë të lidhura me veprën penale për të cilën është i dënuar. Ai në fakt mundet në çfarëdo momenti, në procedurë përkatëse të kërkojë dhe përpara prokurorit kompetent të paraqet vepra penale në procesverbal. Veprat penale nuk paraqiten te prokurori publik republikan, ose me dëshirë te ndonjë prokuror konkret”, thanë për Portalb.mk, nga Prokuroria.

Avokati Asmir Alispahiq, pas mbarimit të seancës së djeshme gjyqësore, në lidhje me atë se çfarë ka dashur të thotë Aziri me atë që i di autorët e krimit, tha se nuk ka çfarë të shtojë dhe se këto prova beson që do t’ia tregojë Prokurorisë.

“Ishit të pranishëm në gjykim i cili i ftoi prokurorët. Nuk e di në çfarë ka menduar, besoj që do t’u tregojë prokurorëve. Në atë pjesë nuk mundem asgjë tjetër të them”, tha dje Alispahiq.

Sot biseduam edhe me avokatin mbrojtës të Azirit, Naser Raufi, për ta pyetur nëse di diçka në lidhje me këto prova, por ai pohon se për herë të parë për këtë ka dëgjuar dje në seancë gjyqësore.

“Për thuajse 9 vite kam qenë avokat i tij, s’më ka thënë se e di se kush janë porositësit dhe kryerësit e vrasjes. Më erdhi edhe mua çudi, pasi dje për herë të parë në sallë e dëgjova. Të shohim çka do të del”, tha për Portalb.mk, Raufi.

Ndryshe, Gjykata Penale e Shkupit, më 23 shkurt e shpalli aktgjykimin, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (i akuzuari i parë dhe i dytë), të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin (i akuzuari i tretë), u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri (i akuzuari i katërt) u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri (i akuzuari i pestë) u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari (i gjashtë) Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin, për të premten paralajmëroi protesta në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button