RMV, Qeveria thotë se kompani evropiane interesohen për Kodrën e Diellit (VIDEO)
Për shitjen e plotë apo të pjesshme të Kodrës së Diellit janë të interesuara disa kompani, mes tyre nga Zvicra, Italia dhe Austria. Gjatë vitit të ardhshëm, Qeveria e RMV-së do të publikojnë shpallje për shitjen e kësaj qendre turistike. Nga ana tjetër, qytetarët nuk heqin dorë nga kjo qendër edhe pse nuk ka kushte adekuate dhe madje ende nuk ka filluar sezoni i sikijimt, shkruan Portalb.mk.
Si shpëtim i vetëm i Kodrës së Diellit ka ngelur vetëm shitja e plotë apo partneriteti publiko-privat sepse kompania Elem Turs ka dështuar në menaxhimin e kësaj qendre turistike.
Nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk theksuan se ka interes për blerjen e kësaj qendre turistike, shitja e së cilës, sipas zëdhënësit Dushko Arsovski, është planifikuar para krizës me Kovid-19.
“Theksojmë se interesi për shitjen e disa kompanive shtetërore, si dhe resurseve ku shteti është pronar dominues siç është edhe Kodra e Diellit është shpallur para paraqitjes së krizës shëndetësore dhe ekonomike. Për pjesën e ski lifteve, që ndërlidhet edhe me Kodrën e Diellit, interesim për të investuar kanë shtetet e grupës së vishegradit, gjithashtu edhe kompani të njohura të Zvicrës, Italisë dhe Austrisë” deklaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Nga Qeveria gjithashtu potencuan se ofertë konkrete i kanë dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës për veprim të përbashkët në drejtimin e zhvillimit të qendrës turistike, Kodra e Diellit, duke shtuar se përgjigje nga ata, ende nuk kanë marrë.
“Qeverisë së Kosovës i kemi dërguar ofertë që së bashku të veprojmë për zhvillimin e Kodrës së Diellit, presim përgjigje nga ana e tyre, studimi i fizibilitetit dhe analiza e thellë ekonomikë për Kodrën e Diellit dhe të gjitha objektet tjera turistike të cilat janë në menaxhim të Elem Turs, kanë mbaruar para krizës” thanë nga Qeveria e RMV-së.
Hapa konkret drejt privatizimit, vitin e ardhshëm
Për privatizimin e plotë ose të pjesshëm të Kodrës së Diellit folet tash disa vite, ndërkaq ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për këtë. Arsovski nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk konfirmoi se gjatë vitit të ardhshëm do të publikohet shpallja për shitjen e kësaj qendre turistike.
“Jemi të përgatitur që brenda vitit të ardhshëm të publikojmë thirrje publike për privatizim të plotë të qendrës turistike Kodra e Diellit apo për partneritet publiko-privat. Objektet hotelierike në Kodrën e Diellit të cilat janë në menaxhim të Elem Turs, në pajtueshmëri me studimin e fizibilitetit, do të ofrohen për privatizim të drejtpërdrejtë” tha Arsovski.
Se a do të privatizohet tërësisht apo pjesërisht, nuk është i vendosur as kryeministri Zaev, megjithatë ai disa ditë më herët theksoi se kjo do të ishte një zgjidhje më e mirë për Kodrën e Diellit.
“Presim që të rriten performancat në punën e tyre me hyrje të kapitalit privat, kjo mund të jetë e tillë 100%, mund të jetë publiko private, që shteti të mbaje njërën pjesë, ndërkaq me koncesion të jepet pjesa tjetër dhe ngjashëm. Bëhet fjalë për resurse joefikase që janë në duar të shtetit dhe duhet të vendosen në funksion” deklaroi Zoran Zaev me 16 nëntor.
A ju konvenon privatizimi i plotë ose i pjesshëm bizneseve në Kodrën e Diellit?
Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut këtë të fundit e cilësoi si një ide të mirë, ai potencoi se tash është koha që potenciali i pashfrytëzuar i Kodrës së Diellit të vendoset në funksion.
“Konsiderojmë se është ide e mirë. Në thelb, secila ide që përmban mundësi të reja është e mirë. Nuk dëgjuam se si do të shitet Kodra e Diellit, megjithatë si zgjidhje konsiderojmë se është e mirë sepse atje asgjë nuk po ndodh ndër vite, janë humbur shumë vende të punës. Kodra e Diellit ka potencial i cili meriton të shfrytëzohet” tha Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut.
Një prej personave që gjatë sezonit të dimrit jep vila me qera në Kodrën e Diellit, të cilin e gjetëm përmes një reklame në “Fejsbuk” për Portalb tha se kanë humbur besimin në menaxhimin e shtetit me këtë qendër, andaj çdo investitor i jashtëm është i mirëpritur.
“Ne kemi humbur shpresat apo besimin se shteti mund të investoje apo të bëje diçka në të mirë të Kodrës së Diellit. Ndonjëherë duket e dhimbshme fakti se sikur po shesim diçka tonën, megjithatë, shumë më mirë një i huaj dhe të menaxhoje mirë se sa i yni dhe të shkatërroje” tha ai.
“Kodra e Diellit” – E harruar nga komptentët, e adhuruar nga qytetarët (Video)
Përkundër vështirësive të ndryshme dhe mungesës së kushteve, askush nuk i ndal qytetarët që të vizitojnë Kodrën e Diellit, sidomos gjatë vikendit ku kolonat për të arritur në pjesën kryesore të kësaj qendre turistike, arrijnë deri në 4 kilometra.
Kjo për shkak të mungesës së parkingjeve, gazetari i Portalb.mk dëshmoi një kaos total gjatë vikendit të fundit në këtë qendër turistike, qytetarë të cilëve tendenca për relaksim ju ishte kthyer në ecje të gjata dhe stresuese, mbeturina si dhe mosfunksionim të ski lifteve.
Edhe pse këtë vit bora në Kodrën e Diellit ka rënë më herët, sipas drejtorit Zivko Aleksovski, ende nuk ka borë të mjaftueshme për fillimin e sezonit, gjegjësisht lëshimit në funksion të ski lifteve.
“Jemi në fund të përgatitjes për sezonin e ardhshëm, bora e parë ra, presim edhe të paktën 20cm dhe t’i lëshojmë ski liftet” tha për Portalb.mk, drejtori i Kodrës së Diellit, Zivko Aleksovski.
Pandemia me virusin korona e ka bërë të vështirë mënyrën e funksionimit të teleferikut me gjashtëulëse, kjo për shkak të masës me anë të së cilës ndalohet grupimi dhe kërkohet distancë mes njerëzve. Andaj, ende nuk dihet se a do të funksionoje këtë vit.
“99% duhet të funksionojë, është më specifike kjo për shkak të Kovid-19, mbetet të shihet” tha drejtori Zivko Aleksovski.
Ndryshe, në Kodrën e Diellit kishin arritur edhe turistët e parë të huaj të cilët përkundër mosfunksionimin e skilifteve kishin gjet mënyra për të skijuar, të njëjtit u shprehën se do të presin derisa të filloje sezoni i skijimit.
- LEXO: Bora artificiale në Kodrën e Diellit sezonin e ardhshëm dimërorë
- LEXO: Peticion për rikthimin e teleferikut Tetovë – Kodër e Diellit
- LEXO: Edhe teleferiku i prishur Tetovë-Kodër Dielli pret shpëtim nga analiza e ELEM-it
- LEXO: Kodra e Diellit, çfarë duhet të bëhet më tej?
- LEXO: Kodra e Diellit, Zaevi hodhi poshtë njërën nga tre alternativat e analizës së fizibilitetit
- LEXO: Ish drejtori i Kodrës së Diellit: Studimi i fizibilitetit plagjiaturë e përpunuar edhe aspak serioze
- LEXO: ESM kërkon që Kodra e Diellit të shitet ose të jepet në partneritet publiko privat, Qeveria vendos