Demiri: Do ta mbylli karrierën te KF Shkupi

Kampionati shqiptarë është bërë destinacion i shumë futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia, duke marrë parasysh se si në garat ekipore ashtu edhe me kombëtaren, cilësia e futbollit në Shqipëri ka pasur rritje. Nijaz Lena (Flamurtari), Kirçe Ristevski (Bylis), Ardian Nuhiu (në bisedime me Katriotin), Mevlan Murati (Partizani), Muzafer Ejupi (Skënderbeu), dhe Ertan Demiri te Partizani.

Në sezonin e fundit në Ligën e Parë të Maqedonisë, Ertan Demiri ka luajtur 20 ndeshje për Shkëndijën, 18 herë si titullar duke shënuar dhe tre gola. Karakteristik e futbollistit me tipare mesfushori është loja mjaft e ashpër, pasi që edhe gjatë kampionatit është ndëshkuar shpesh me kartonë të verdhë (6), dhe dy të kuq.
Demiri para se të bashkohej me Partizanin, luajti te Shkëndija duke ardhur nga rivalët e qytetit, Teteksi, ndërsa më parë ka luajtur edhe te Al Taawon në Arabinë Saudite, Metalurg, Rabotni;ki, Vardar e KF Shkupi (ish-Slloga Jugomagnat).

Majat e karrierës ai i ka arritur në sezonin 2008/09 dhe 2009/10 kur u transferua në Belgjikë, duke luajtur për ekipin e Lokeren. 

Nga Ertan Demiri pritet që të jep shumë nga eksperienca e një mesfushori me përvojë, dhe sigurisht pritet të jetë një lider i skuadrës në sezonin e rikthimit në Superligë. Ertani luan si mesfushor, por edhe shpesh mundë ta shohim atë në repartin e mbrojtjes.

Mesfushori shkupjan, 34-vjeçari Ertan Demiri, në një intervistë për “Portalb”, tregon arsyet përse zgjodhi Partizanin për të vazhduar karrierën e tij, por edhe synimet që ka me skuadrën që sapo është rikthyer në mesin e më të mirëve në Superligë.

PORTALB:Keni kaluar pothuajse fazën e dytë të stërvitjeve, a e keni të vështirë të ambientoheni?

Ertan Demiri: Janë stërvitje të lodhshme, punojmë intensivisht por megjithatë kushtet janë të mira. Pasi që ekipi sapo është ngjitur në Superligë, shpresoj se gjërat do të shkojnë mbarë. Puna jonë si futbollist profesionist është që të stërvitemi, dhe të jemi sa më të përgatitur për fillimin e kampionatit.

PORTALB: Në karrierën tuaj futbollistike keni luajtur në shumë ekipe, por a keni pasur informacione për kampionatin shqiptar?

Ertan Demiri: Po, kam pasur. Shumë shokë futbollistë, siç janë vëllezërit Nuhiu apo Ramadani, ata kanë luajtur me Besën e Flamurtarin apo edhe Pollozhani që ka luajtur me Dinamon, më kanë folur për kampionatin shqiptar, kështu që kam njëfarë ideje në lidhje me lojën që zhvillohet.

PORTALB: Keni qenë pjesë e shumë ekipeve, ndërsa shpesh në mediat shqiptare është përfolur emri juaj në afata kalimtare, pse vendosët pikërisht tani të aktivizoheni në kampionatin e Shqipërisë?

Ertan Demiri: Po unë synim e kam pasur që të luajë në ekipe të Evropës, ku e dini dhe ju se isha pjesë për dy sezone radhazi me Lokerenin e Belgjikës, pastaj mu dha shansi të luajë edhe në Arabin Saudite, e cila ishte shumë e vështirë për t’u refuzuar. Dy vite më parë isha shumë afër kampionatit shqiptar, por ishin problemet me dokumentacionin që më vonuam për regjistrim dhe gjithçka mbeti jashtë paraqitjes sime në Shqipëri.

PORTALB: A shpresoni të jeni në ekipin e parë të Partizanit?

Ertan Demiri: Nëse nuk do të ishte ashtu, as që do të nisesha për Tiranë. Do të mundohem që të jap 100% nga vetja për të qenë titullar. Nuk e kam shumë problem se sa minuta do të marr nga trajneri për të luajtur, unë do të jap maksimumin nga vetja për aq kohë sa do të jem në fushë. 

PORTALB: Te Partizani ka shumë futbollist të huaj, a mendoni se konkurrenca do të jetë e madhe për një vend titullari?

Ertan Demiri: Sipas informacioneve të mia, Murati dhe kosovarët e ardhur po planifikojnë të marrin dhe shtetësinë shqiptare, që do të thotë se ata do të paraqiten pa problem, e që do të hapet mundësia për të tjerë me shtetësi të huaj. Por nëse na lejohet dhe të tjerët për të marrë shtetësinë shqiptare, do ta bëja dhe unë të njëjtën gjë. Për mua do të jetë kënaqësi nëse do e merrja pasaportën shqiptare.

PORTALB: Cilat ekipe përveç Partizanit ju kanë bërë ofertë të jeni pjesë e tyre?


Ertan Demiri: Para se të filloja bisedimet me Partizanin, kam pasur disa kontakte me Elbasanin, por me shumë ngecje, ndërsa Partizani ishte i vendosur që të me ketë në radhët e veta dhe tashmë jam pjesë e këtij ekipi. 

PORTALB: Na jepni vlerësimin tuaj, si i cilësoni kampionatet e Maqedonisë dhe atë të Shqipërisë?

Ertan Demiri: Mendoj se në Shqipëri bëhet një kampionat më i egër. Në fakt, kohëve të fundit  Shqipëria është ngritur shumë, cilësia e futbollit është rritur në krahasim me atë në Maqedoni. Te ne edhe ju jeni dëshmitarë se ka shumë probleme financiare, për këtë arsye futbolli po humb dhe nga kualiteti, ndërsa shikuesit shumë pak i gjen në tribuna. E vetmja ka qenë ekipi i Shkëndijës dhe “Ballistët” që në çdo ndeshje tribunat kanë qenë me nga 9.000 shikues. Kohëve të fundit edhe politika është futur tepër në sport dhe kjo është një nga problemet kryesore, çka ka bërë që niveli në sport të bjerë. 

PORTALB: A keni menduar për përfundimin e karrierës?

Ertan Demiri: Po desha apo jo, duhet të mendoj edhe për këtë punë. Unë do të vazhdoj të luaj edhe më tutje, jam vetëm në moshën 34 vjeçare, dhe kam para vetes edhe disa vite që mundë të godas fort topin. Por mendoj se nuk e mbyll karrierën time, pa e veshur edhe një herë fanellën e klubit të zemrës, KF Shkupi. Do të doja që Shkupin ta shoh edhe një herë kampion i Maqedonisë dhe ti vë në gozhdë atëherë taket e mia. Gjithçka më lidh me këtë klub dhe mendoj se më mirë se nëse e mbylli aty, nuk ka ku. Por se kur do të ndodhë kjo, presim që të shohim në vazhdim. 

Emri: Ertan
Mbiemri: Demiri
Datëlindja: 24 Janar 1979
Mosha: 34 vjeçar
Vendlindja: Shkup, Maqedoni
Pozita: Mesfushor
Gjatësia: 181 cm
Pesha: 79kg

Skuadrat me të cilat është aktivizuar:
1999-2004 KF Shkupi (ish-Sloga Jugomagnat)
2005-2007 Vardari
2007-2008 Rabotniçki 
2008-2009 Lokeren (Belgjikë)
2009-2010 FK Metalurg
2010-2011 Al Taawon (Arabi Saudite)
2012-2013 FK Teteks
2012-2013 Shkëndija e Tetovës
2013- FK Partizani

Lajme të ngjashme

Back to top button