Kush e mban peng rikonstrumin e Teatrit shqiptar në Shkup?

Teatri shqiptar i Shkupit është ndërtuar në vitin 1974, prej asaj ditë nuk është intervenuar aspak në të. Tre vite më parë Ministria e Kulturës sjell vendim për rikonstruim të tërësishëm të objektit, por sot e kësaj dite, vendimi mbetet vetëm në letër.

Për këtë qëllim Portalb realizoi një bisedë të shkurtër me zëdhënësen e Teatrit shqiptar Shkup, Anita Latifi.

Portalb:Ministria e Kulturës qysh në vitin 2010 ka sjell vendim për rikonstruim të tërësishëm të Tetarit shqiptar në Shkup. Sot e asaj dite nuk ka ndonjë ndërhyrje në këtë drejtim. Kohë më parë si afat për fillimin e rikontruimit u përcaktua muaji qershor, tani jemi kah fundi i korrikut, keni informacione në këtë drejtim, pse u shkelën afatet?


Anita Latifi:Është e vërtetë që projekti për rikonstruimin e tërësishëm të Teatrit Shqiptar – Shkup ka filluar në vitin 2010. Por duhet ta keni parasysh që bëhet fjalë për një projekt jashtëzakonisht voluminoz që kërkon edhe kohë edhe punë duke respektuar kërkesat ligjore, administrative, projektuese etj.  Gjatë vitit 2010 në aspektin administrativ u miratua mbështetja nga ana e Ministrisë së Kulturës  për rikonstruimin, sanimin dhe adaptimin e tërësishëm të objektit, dhe u formua  grupi punues i cili detektoi gjendjen faktike dhe nevojat e objektit.  

Më vonë pas procedurës për furnizim publik, shtëpia projektuese Megaron inzhenering, e cila u zgjodh ofertues më i volitshëm, gjatë vitit 2011 dhe 2012 projektoi dokumentacionin arkitektonik – projektues  që përfshin të gjitha fazat (punimet ndërtimore, instalimet elektrike, maqinerike, ato të ujësjellësit, teknologjinë e skenës, enterierin etj.)  komfor standardeve bashkëkohore. Pas përfundimit të dokumentacionit projektues Teatri Shqiptar – Shkup nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve siguroi Lejen për rikonstruim të objektit dhe shpalli tender për përzgjedhjen e operatorit ekonomik i cili do të realizonte punimet për rikonstruim. Fatkeqësisht ofertat e arritura në shpalljen e parë ishin shumë të larta se çmimi i vlerësuar  nga projektuesi, përkatësisht investitori – Teatri Shqiptar Shkup. 

Në prill të këtij viti, Teatri Shqiptar përsëri publikoi shpalljen për furnizime publike për realizimin e punimeve për rikonstruim të tërësishme të objektit. Pasi edhe në tenderin e dytë oferta e operatorit ekonomik më të volitshëm tejkalonte shumën e paraparë gjatë shpalljes së tenderit (?16%), në bazë të ligjit Teatri Shqiptar duhej të sjell vendim të ri për furnizim publik nëse sigurohen mjete shtesë, andaj iu drejtuam Ministrisë së Kulturës për të marr mendim për vijimin e procedurës, ndërsa Ministria iu drejtua Qeverisë. Qeveri pasi kishte shqyrtuar informacionin nga Ministria e kulturës kishte dalë me konkluzë që Teatri Shqiptar të anuloj këtë procedurë për furnizim publik dhe të shpall procedurë të re brenda buxhetit të paraparë ose të ulë disa prej pozicioneve të parallogaritjes. 
Nuk dëshirojmë të prononcohemi me numra sa i përket vlerës së paraparë (apo ofertës më të volitshme) nga tenderi paraprak, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës së rradhës. 

Portalb:Kur pritet të fillojë rikontrumi ka premtime tjera?

Anita Latifi:  Shpallja e ardhshme për përzgjedhjen e realizuesit të punimeve për rikonstruim do të publikohet gjatë muajit shtator dhe sipas afateve ligjore, nëse gjithçka kryhet me sukses kësaj rradhe punimet duhet të fillojnë në nëntor. 

Portalb:Si është gjendja e Teatrit, a posedon kushte për të kryer punën siç duhet ose jo?

Anita Latifi: Objekti ka kohë që është i amortizuar dhe i ruinuar dhe nuk kënaq kriteret bazë për veprimtarinë e cila zhvillohet në të. Objekti është ndërtuar në vitin 1974 në bazë të normave dhe rregullave të cilat brenda këtyre 40 viteve janë ndryshuar dukshëm në veçanti sa i përket kursimit të energjisë. Dokumentacioni projektues nga Megaron inzhenering ka përfshirë ndërhyrje në të gjitha fazat dhe pas përfundimit të punimeve Teatri Shqiptar i ri do të ruaj nga Teatri Shqiptar i vjetër (ai aktual) vetëm konstrukcionin ndërtimor (karabinanë), ndërsa gjithçka tjetër do të jetë e re komfor standardeve bashkëkohore të teatrove evropiane.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button