Kiracovski dëshmoi për “Reketin”: Shpresoj prej sot të ndërpriten manipulimet ndaj meje
Ish sekretari gjeneral i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Aleksandër Kiracovski ka dëshmuar për rastin “Reket” në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, njofton Portalb.mk.
Me dëshminë e tij, Kiracovski shpreson se do të ndërpriten lajmet e rreme dhe manipulimet ndaj tij.
“Besoj se me dëshminë do të ndalojnë edhe lajmet e rreme dhe manipulimet ndaj meje dhe të cilat ndikuan negativisht në procedurën. Shpresoj që prej sot do të flasin vetëm faktet, argumentet dhe ajo çfarë është e vërtetë”, tha Kiracovski.
Ai më tej ka mohuar se e njeh kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janevën, biznesmenin të dyshuar në lëndën e PSP-së, Orçe Kamçev dhe të dyshuarin e dytë në rastin “Reket”, Zoran Milevski i njohur me nofkën Zoki Kiçeec.
“Absolutisht po. Mendoj se ndihmova në një farë mënyrë që rasti të marrë rrjedhë të duhur. Unë duhet të pranoj, edhe pse tash për tash nuk e di a kam të drejtë t’i tregoj detaje. Isha i ftuar vetëm për një segment të vogël. Kjo me Katicën, Kamçevin dhe Kiçeecin nuk ka lidhje me mua. Ajo nuk u diskutua sot. Nuk i njoh dhe as që dua t’i njoftoj”, tha Kiracovski.
Në lidhje me rastin “Reket”, dje në Prokurori deklaratë ka dhënë edhe deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski. Para saj, deklaratë ka dhënë biznesmeni, Ardijan Amzoski, pronar i ndërmarrjes “Drim Bilding” nga Struga.
Përndryshe, në rastin “Reket”, të dyshuar janë kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec. Ata dyshohen se, kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet Janevës, duke marrë 1,5 milionë euro vetëm nga biznesmeni Orce Kamçev për t’ia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash në lëndën “Perandoria”, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera, gjithsej 8 milionë. Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa video-audio materiale, në të cilat shihet se si Boki 13 dhe Zoki Kiçeec marrin paratë prej biznesmenit Orce Kamçev në shtëpinë e tij.
LEXO PËR LËNDËN: REKETI