“Monstra”, përpara se t’i dëgjojë opinioni, “bombat” do të pastrohen nga bisedat private

“Bombat” apo bisedat e përgjuara të rastit “Monstra”, pritet që të dëgjohen më 18 shtator, pasi paraprakisht të njëjtat të pastrohen nga fjalët e pahijshme, intime, private apo vulgare. Kështu tha sot gjykatësi i lëndës, Ognen Stavror, i cili e anuloi për shkak fatit të Prokurorisë Speciale, gjegjësisht afatit treditor për dorëzimin e lëndëve të PSP-së në Prokurorinë Themelore Publike , njofton Portalb.mk.

Në provat materiale për vrasjen e pesëfishtë ka gjithsej 38.000 biseda të përgjuara dhe sms-porosi. Gjykatësi i lëndës, Ognen Stavrev, tha se nuk i interesojnë problemet në Prokurorinë Speciale dhe se gjykimi do të vazhdojë.

“Për mua, prokuror të autorizuar në këtë lëndë janë ende Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski. Mua askush nuk më ka njoftuar më ndryshe. Le të vendos prokurori publik për transferimin e lëndëve nga Katica Janeva, në mesin e të cilave është edhe kjo lëndë, pastaj do të shohim se çfarë më tej. Tani gjykimi do të vazhdojë”, tha Stavrev.

Familjarët e të vrarëve kanë deklaruar se ata dëshirojnë që edhe më tej të vazhdojnë të jenë prokuror Bubevski dhe Fetai.

Avokati Naser Raufi në lidhje me këtë çështje tha se për ata nuk është me rëndësi se kush do të jetë prokuror, pasi që është i bindur se të akuzuarit nuk e kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen. Ai gjithashtu kërkoi që  seancat e ardhshme të jenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit në “Monstra”.


08:45 – Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot pritet të dëgjohen “bombat” apo materialet e përgjuara për rastin “Monstra”. Materialet, apo rreth 38.000 biseda të përgjuara dhe sms-porosi, janë dorëzuar nga Prokuroria Speciale, ndërkaq paraprakisht i ka poseduar kryeministri Zoran Zaev, të cilat i ka marrë nga përgjimet e paligjshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme në periudhën 2008-2015-të, njofton Portalb.mk.

Lënda është në fazën e nxjerrjes së dëshmive të reja.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button