Ligjet e padekretuara nga Ivanovi, sot në seancë plenare për votim të sërishëm
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), sot do të vendos për ligjet që nuk u dekretuan nga presidenti në ikje, Gjorge Ivanov, për shkak se në të njëjtat është përdorur emri i ri i shtetit, i cili nuk është i pranueshëm për të, transmeton Portalb.mk.
Në rendin e ditës së seancës së 94-rt, deri tash janë 27 ligje, pjesa më e madhe e të cilave kanë marrë veto nga Ivanovi, dhe për votim e të njëjtave duhet të sigurohet vota “për” e 61 deputetëve.
Në rendin e ditës është edhe ratifikimi i Marrëveshjes ndërmjet RMV-së dhe Rumanisë për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe arsimit, ndryshimet në Ligjin e Agjencisë Teknike-Operative, dhe plotësimi i Ligjit për shërbimin e Armatës së RMV-së dhe Ligji për energjetikë.
Presidenti Ivanov nuk i ka dekretuar edhe tre ligje në fushën e gjyqësorit, të cilat u miratuan me 2/3 e shumicës.
Pas mosdekritimit të ligjeve, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se të njëjtat do të shpallen në Gazetën Zyrtare, sepse konsiderohen si të miratuara pas votimit të dytë.
Mosdekretimi i ligjeve nga presidenti Ivanov nuk është diçka e re, sepse të njëjtën formulë, dhe për të njëjtën arsye “Se do t’i mbrojë interesat e shtetit”, i ka përdorur edhe ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Për mosdekretim të ligjit edhe pas votimit të dytë, Prokuroria Publike Themelore ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale.
LEXO: Publikimi i ligjeve në Gazetën Zyrtare, përplasje mes Xhaferit dhe Ivanovit (VIDEO)
LEXO: Ndryshimet kushtetuese janë publikuar në Gazetën Zyrtare, por jo edhe ligji i gjuhëve (FOTO)