Prokuroria ka hapur procedurë parahetimore për presidentin Ivanov për shkelje të Kushtetutës
Prokuroria Publike e Shkupit ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale të denoncuara në lidhje me mosnënshkrimin e Ligjit të gjuhëve dhe Marrëveshjes së Prespës, transmeton Portalb.mk.
Lënda është në procedurë parahetimore dhe për momentin janë duke u ndërmarrë masa për kontrollim të gjetjeve të denoncimit. Janë kërkuar të dhëna dhe informata nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht se nga cilat shkaqe nuk janë nënshkruar nga ana e presidentit.
Ivanov nuk ka nënshkruar ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, edhe pse dy herë është votuar në Kuvend. Më parë, ai në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Mosnënshkrimi i tyre nga ana e presidentit Ivanov, ka vonuar që ato të shpallen në “Gazetën Zyrtare” dhe nuk mund të hyjnë në fuqi.
Ndryshe, më 17 janar të vitit 2018-të, Ivanov nuk e ka nënshkruar ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ivanov tha se ligji është “jo-ligjor dhe represiv dhe e favorizon vetëm gjuhën shqipe”. Sipas Ivanovit, e këtë ligj vendoset paralelizëm shumë i shtrenjtë në të gjitha organet e shtetit, që e njëjta sipas tij, do të krijojnë bllokim të plotë dhe jo-funksionalitet.
Më 26 qershor të vitit 2018-të, Ivanov nuk e nënshkroi ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Emrin me Greqinë. Ivanov vlerëson se “nuk ka mandat që ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikim pasi që njëri ndër boshtet e politikës së tij në programin zgjedhor të vitit 2014-të është që nuk pranon ndryshim të Kushtetutës për ta ndryshuar emrin kushtetues.