Ligji i gjuhëve dhe marrëveshja e Prespës në Gazetën Zyrtare, Xhaferi sqaroi se pse i fuqizoi sot (VIDEO)
Ashtu edhe siç u paralajmërua, në numrin shtatë të Gazetës Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, sot është publikuar Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare Maqedoni – Greqi, transmeton Portalb.mk.
Veçantia e këtij numri, dhe e vetë publikimit të ligjit është se ai është publikuar edhe në gjuhën shqipe, ndërkohë që nga Gazeta Zyrtare njoftuan se me shpalljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe Gazeta do të botohet edhe në gjuhën shqipe.
“Me shpalljen e ligjit në Gazetë, edhe Gazeta Zyrtare do të botohet në gjuhën shqipe”, thanë nga Gazeta Zyrtare.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në konferencë për media deklaroi se vendimi për fuqizim të të dy ligjeve në këtë periudhë, është për shkak se ka pritur që të kalojë një vit nga miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe gjashtë muaj nga Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës.
“Dekretet për fuqizimin e të dy ligjeve i dërgova në Gazetën Zyrtare në bazë të nenit 52, dhe me sqarim plotësues dhe pse dekreti është nënshkruar vetëm nga ana ime”, tha Xhaferi.
Kryepalamentari Xhaferi njoftoi se institucionet kanë afat që brenda 6 muajve të zbatojnë ndryshimet që parashihen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve shumë qartë tregon për atë se kur do të hynë në fuqi të gjitha ndryshimet e nevojshme, dhe për këtë është dhënë afat kohorë për 6 muaj për realizimin e atyre ndryshimeve. Edhe Kuvendi, dhe të gjitha institucionet tjera kanë afat për 6 muaj, që në bazë të Nenit 7, thuhet qartë se deri kur kanë afat institucionet që t’i realizojnë ndryshimet”, tha Xhaferi.
Krahas ligjit për përdorimin e gjuhëve, në Gazetën Zyrtare është publikuar edhe ligji për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në Rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shfuqizimin e marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995, dhe për vendosjen e partneritetit strategjik ndërmjet palëve.
Ndryshe, ligji i gjuhëve në votimin e dytë kaloi më 14 mars, për shkak se i njëjti nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, por nuk ka qenë në fuqi, pasi që sot është publikuar në Gazetën Zyrtare edhe pse i njëjti u votua dy herë në Kuvendin e Maqedonisë. “Formulën” për mosdrektetim pas votimit të dytë, kryetari Ivanov e zbatoi edhe ndaj marrëveshjes së ratifikuar mes Maqedoni – Greqisë. Për mosdekretim të ligjit edhe pas votimit të dytë, Prokuroria Publike Themelore ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale.