Presidenti i Austrisë në Shkup: Mos i dramatizoni ndryshimet kushtetuese

Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen sot qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku pati takime me krerët e shtetit si dhe fjalim në Kuvend. Ajo çfarë ai theksoi nga kryeqyteti i vendit është ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nuk duhet të dramatizohen, raporton Portalb.mk.

Takimi Van der Bellen – Pendarovski

Presidenti austriak u prit nga presidenti i vendit në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Dy presidentët zhvilluan takim sy më sy, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Temat e bisedës ishin marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, mundësitë për thellimin e tyre me theks në bashkëpunimin ekonomik, ecuria e integrimit evropian të RMV-së si dhe çështjet e hapura të Ballkanit Perëndimor dhe situata në rajonin më të gjerë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti austriak theksoi se se do të mbajë fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pikërisht në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Siç tha ai mbrojtja e pakicave në Maqedoninë e Veriut tashmë është diçka që nënkuptohet dhe se ky hap tjetër nuk duhet të dramatizohet.

“”Frustrimi për kohëzgjatjen e procesit është i kuptueshëm, por ju lutemi mos e humbisni qëllimin. Kroacia ka treguar se pritja është e mundur kur të gjitha forcat e rëndësishme politike po tërhiqen në të njëjtin drejtim. Le të punojmë së bashku për pranimin e hershëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Unë mund t’ju garantoj se Austria do të jetë në dispozicionin tuaj si një partner i besueshëm në të ardhmen”, tha Van der Bellen.

Presidenti Pendarovski theksoi se Austria është historikisht e pranishme në vendin tonë dhe në rajon, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht dhe se është një nga vendet e para evropiane që ndjen efektet e proceseve pozitive, por edhe të tendencave negative në Ballkan.

“Biseduam edhe për situatën aktuale politike dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor. Austria, si një mike e dëshmuar e rajonit, ka një rol të rëndësishëm në shtyrjen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kuadër kjo vizitë e presidentit austriak tregon edhe urgjencën e dosjes evropiane të RMV-së”, tha Pendarovski.

Presidenti Stevo dhe Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen. Foto: Presidenca e RMV-së
Presidenti Stevo dhe Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen. Foto: Presidenca e RMV-së

Takimi Van der Bellen – Xhaferi

Presidenti austriak në kuadër të vizitave zyrtare në Maqedoninë e Veriut zhvilloi takim edhe me kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.

“E përsëriti mbështetjen e mëtejme të fuqishme të Austrisë në rrugën eurointegruese të vendeve të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi se Austria ka qëndrim të fortë për vendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, që është merituar moti. Pikërisht për këtë, Austria konsideron dhe u sugjeron partnerëve të vet në BE se nuk guxon të lejohet që sfida të caktuara aktuale të sigurisë të marrin prioritetin e zgjerimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shteteve tjera – aspiruese nga ky rajon”, deklaruan nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në lidhje me qëndrimin e presidentit austriak Aleksander va nder Belen.

Takimi Van der Bellen – Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pritur presidentin austriak sot gjatë vizitës së tij dyditore në Shkup. Ai theksoi rëndësinë e Austrisë si një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në vend, duke theksuar se ka potencial për ngritjen e nivelit të tregtisë.

“Së bashku u konstatua roli i Maqedonisë së Veriut si faktor stabilizimi në rajon dhe si partner i besueshëm i NATO-s dhe BE-së, që është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të vendit”, raportoi Qeveria.

Përndryshe, marrëdhëniet diplomatike midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut u vendosën më 23 dhjetor 1994. Që i bie se vitin e ardhshëm dy vendet shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button